Gjykatësja federale refuzon të shtyjë shpalljen e dënimit për Roger Stone
Një gjykatëse federale refuzoi të shtyjë seancën për dhënien e dënimit për bashkëpunëtorin e ngushtë të Presidentit Donald Trump, Roger Stone, megjithëse zoti Trump ka kërkuar që ai të mos dënohet.
Gjatë një bisede telefonike të martën me zotin Stone dhe avokatët e tij, gjykatësja Amy Berman Jackson tha se vendimi mbi dënimin e tij do të jepet të enjten ashtu siç ishte planifikuar.
Këto zhvillime vijnë ndërsa avokatët e zotit Stone kanë kërkuar rigjykimin e tij.
Javën e kaluar Presidenti Trump shkruante në Twitter se kryetarja e jurisë në gjyqin ndaj zotit Stone ishte “e njëanshme“, opinion të cilin e shpërndau sërish në Twitter të martën ndërsa një komentues në televizionin “Fox News” tha gjithashtu se zoti Stone meritonte një proces të ri gjyqësor.
I pyetur nga gazetarët nëse ai planifikon ta falë zotin Stone, zoti Trump u përgjigj se “nuk e kishte menduar nje gjë të tillë ende duke shtuar se ai (Stone) ishte trajtuar shumë padrejtësisht“.
Të martën zoti Trump tha se ai zgjodhi të mos përfshihej në çështjen Stone, por shtoi se gëzonte të drejtën ta bënte një gjë të tillë nëse dëshironte, duke thënë se ishte “zyrtari kryesor i zbatimit të ligjit në vend“.
Komentet publike të zotit Trump mbi çështjen Stone dhe kritika e tij e hapur ndaj një gjykatëseje federale janë në qendër të akuzave për ndikim politik në atë që historikisht ka qenë një Departament Drejtësie i pavarur.
Polemikat u nxitën kryesisht javën e kaluar kur Prokurori i Përgjithshëm William Barr dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Departamentit të Drejtësisë, në një veprim të papritur rekomanduan një dënim më të lehtë me burg për zotin Stone duke u dalë kundër prokurorëve të çështjes të vetë Departamentit të Drejtësisë. Këta të fundit kishin rekomanduar shtatë deri në nëntë vjet burg për zotin Stone, bazuar udhëzimet në raport me krimet e kryera.
Zoti Stone u dënua në muajin dhjetor lidhur me akuza për mashtrim të Kongresit, manipulim të dëshmitarëve dhe pengim të drejtësisë, akuza që rodhën nga hetimi mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane të 2016./VOA
Fraksion.com