AktualitetRajoniTë fundit

“1.3 ton kokainë”; Ministri maqedonas jep inicialet e 4 të arrestuarve

Ministri i Brendshëm i Maqedonisë Naqe Çulev është shprehur sot për mediat se nga operacioni për sekuestrimin e dërgesës 1.3 ton kokainë së nisur nga Kolumbia janë arrestuar katër persona. Ai tha se operacioni ka qenë ndërkombëtar dhe se nuk mund të japë më shumë detaje, pasi dëmton hetimet.

“Gjithçka që do të shtoja, vetëm se do të dëmtoja hetimin. Këto që thuhen këtu janë zyrtare, gjitha tjerat janë spekulime. Deri pas orës 24:00 janë kryer bastisje, nuk kanë kaluar as 12 orë nga bastisjet. Bëhet fjalë për operacion ndërkombëtar. Kaq mund të them për këto 12 orë. Flas për informata zyrtare dhe jo për atë që kanë shkruar mediat”, u shpreh Çulev.

Mbrëmë në Krushopek u sekuestrua 1 kg kokainë nga operacioni ndërkombëtar, që ishte pjesë e dërgesës e cila në tërësi llogaritet 1.3 ton. Kokaina ishte nisur fillimisht nga Amerika Latine, në Itali në Mal të Zi, më tej ka hyrë para dy ditësh në Shqipëri përmes pikës kufitare të Hanit të Hotit, tranzit, dhe ka dalë dje nga Qafë-Thana në Pogradec, për të kaluar në Maqedoninë e Veriut me destinacion final Slloveninë.  Autoritetet italiane bënë dorëzimin e kontrolluar duke zëvendësuar kokainën, ndërsa lanë vetëm një pako me 1 kg kokainë, ku ishte vendosur edhe GPS për të ndjekur lëvizjet.

Ministri i Brendshëm maqedonas dha sot inicialet e 4 personave që sipas tij janë arrestuar “J.K. drejtuesi i kamionit dhe S.E. pronarë i kompanisë si dhe dy punonjës tjerë të cilët në momentin e aksionit kanë qenë në depo R.E. dhe J.I.’ deklaroi ai.

Personi i pestë i ndaluar është shqiptaro-maqedonasi Rauf Ismani i cili ishte me një furgon para kontejnerit. Kompania e bananeve është “Baniks LTD”.

 

Fraksion.com