AktualitetBota+Të fundit

SHBA, faljet presidenciale ngjallin polemika

Presidenti Trump tha se ai nuk e njihte ish-guvernatorin e shtetit Illinois. Thjesht e kishte patur personazh në shfaqjen e tij televizive The Apprentice vite më parë:

“Nuk e njoh atë. Por ai vuajti tetë vjet në burg, ka shumë vite përpara në jetë. Shumë njerëz nuk janë pajtuar me dënimin. Ai është demokrat, nuk është republikan. Ai u ndoq penalisht nga të njëjtët njerëz: (ish Drejtori i FBI James) Comey, Fitzpatrick (ish Prokurori i Përgjithshëm Patrick Fitzgerald) – i njëjti grup. Ai kaloi vite larg fëmijëve, të cilët janë rritur, po shkojnë në shkollë të mesme. Ata rrallë arrijnë ta shikojnë babanë e tyre pa uniformën e burgut. Prandaj edhe ia ula dënimin”, tha Presidenti Trump.

Presidenti tha se ishte emocionuar nga thirrjet e gruas së Blagojevichit në televizion. Por duket se në vendimin e tij ndikuan edhe disa njerëz të lidhur me çështjen Blagojevich.

Presidenti njoftoi falje edhe për ish-shefin e policisë së Nju Jorkut, Bernie Kerik, i dënuar për mashtrim me taksat dhe gënjeshtra ndaj zyrtarëve, si dhe për Mike Milken, ish bankier investimesh, i cili u dënua për vepra penale, përfshirë mashtrime financiare.

Ai tha se i shpalli faljet bazuar në rekomandimet që i janë bërë:

“Shpesh herë mbështetem në rekomandimet e njerëzve që i njohin ata. Bernie Kerik, ose Mike Milken, për shembull, i cili është përpjekur dhe ka bërë një punë të jashtëzakonshme për botën me hulumtimet për kancerin. Ai vuajti shumë, pagoi një çmim të madh, por ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Për të gjithë këta njerëz unë jam mbështetur në rekomandimet që më janë bërë.”

Ish pronari i ekipit të futbollit San Francisco 49ers Edward DeBartolo Jr u fal me rekomandimin e Pastorit Darrell Scott nga Klivlendi i Ohajos dhe të disa ish-futbollistëve. DeBartolo pranoi fajësinë në vitin 1998 për fshehjen e një skeme zhvatjeje nga ana e një ish-guvernatori të Luizianës.

“Emri Edward DeBartolo është legjendar në komunitetin tonë. Ai ka bërë punë bamirëse në emër të shumë organizatave bamirëse. Puna e tij për rigjallërimin e Klivlendit ka qenë legjendare”, tha pastori Darrell Scott.

Kritikët thonë se falja e plotë për një figurë të nderuar sportive si DeBartolo është pjesë e fushatës së presidentit Trump për ta dërguar mesazhin e tij tek miliona tifozët e sportit në prag të zgjedhjeve presidenciale të 2020s. Falja për DeBartolos erdhi pas vizitës së presidentit të dielën në garën automobilistike Daytona 500.

Presidenti Trump nuk pranoi t’i përgjigjej pyetjes së gazetarëve nëse ai do ta falte ish-këshilltarin e tij Roger Stone i cili u shpall fajtor për manipulim me dëshmitarët, mashtrim të Kongresit dhe pengim të një hetimi në Kongres për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e 2016s./voa

 

Fraksion.com