AktualitetPolitikëTë fundit

Donacionet amerikane; Rama: Akademinë e Transparencës e kam kërkuar unë në vizitën time në SHBA

“Akademinë e Transparencës e kam kërkuar unë në SHBA”,  deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, i ftuar në një studio televizive.

Rama iu përgjigj pyetjes lidhur me donacionin prej 5 milionë dollarësh të SHBA-së në Konferencën e Donatorëve, një pjesë e të cilit shkon për ngritjen e e Akademisë së Transparencës.

“SHBA-të nuk shquhen për zemërgjerësi në dhënie fondesh edhe në raste të tjera. Janë shumë zemërgjerë në dhënie gjërash të tjera. Ne prisnim më pak nga SHBA, është një shumë që për SHBA, për atë mënyrë se si e kanë qasjen e tyre, është një shumë, OK”,  tha Rama.

Rama tha se “SHBA ka një qasje tjetër sa i përket donacioneve”. “Në vizitën time në SHBA kërkova që në programin e USAID-it të bëjmë një ‘switch’ nga një shumë e parashikuar për më tutje, ta sjellim sot dhe me SHBA të ndërtojmë një Akademi Transparence pilot në lidhje me rindërtimin dhe pastaj ta kemi për të kontrolluar të gjitha procedurat”.

Lidhur me rindërtimin, Rama tha se “të gjithë banorët që rrinë në çadra, sepse janë në fshat dhe nuk lënë dot fermën për të shkuar me qira, brenda vitit ose do të jenë përfundimisht nën çati, ose do të shohin se po punohet”.

Ndërsa për blloqet e banimit, Rama tha se “koha do të jetë më e gjatë, sepse do të bëhen projektet, të cilat janë komplekse”.

“Brenda vitit 2021 të gjithë ata që presin apartamente në qytet, ose do të kenë hyrë ose do të shohin se po punohet”,  tha ai.

 

Fraksion.com