AktualitetKosova

Cakaj: Shqipëria e gatshme të nisë zhbërjen e kufirit me Kosovën

Shqipëria është e gatshme të zhbëjë kufirin me Kosovën, ka deklaruar sot në Prishtinë, ministri në detyrë për Evropë dhe Punë të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj.

Këto komente ai i bëri gjatë takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Ky i fundit, i kishte propozuar qeverisë së Shqipërisë që së bashku ta heqin kufirin me Kosovën.

“Do të ishte mrekulli që viti 2020 të fillojë me vendimin për heqjen e kufirit dhe doganës mes shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë, për çka e ftoj mikun tim kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama që të merr këtë vendim”, pati deklaruar Thaçi në një konferencë për media në fund të dhjetorit të vitit, 2019.

Përgjigja nga Shqipëria, atij i erdhi përmes ministrit Cakaj i cili tha se edhe Tirana zyrtare pajtohet që kufiri të zhbëhet.

“Jemi të gatshëm të nisim punën për zhbërjen e kufirit. Duhet të jetë më shumë çështje e hapave teknik, sesa e diskutimeve politike”, tha Cakaj.

Sipas tij, Shqipëria dhe Kosova kanë bashkëpunim në shumë fusha, por ai bashkëpunim, sipas tij, duhet të jetë maksimal.

Një angazhim të veçantë në politikën e tij të Jashtme, Cakaj tha se ia kushton edhe vendosjes së ambasadave të përbashkëta të Kosovës dhe Shqipërisë

Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se ministri Caka, i cili është nga Kosova, i ka dhënë një shpirt të ri të afirmimit të shtetit të Kosovës në botë.

“Edhe tash ku po fillojmë me një fazë të re të zhvillimit ekonomik dhe perspektivës euroatlantike qe në fokus në Bashkimin Evropian dhe me fokus në Integrimet Evropiane”, tha Thaçi.

Gjatë kësaj vizite, ministri Cakaj ka në agjendë edhe takimet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani dhe ministrin e Jashtëm, Glauk Konjufca.

Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar 77 marrëveshje, por të cilat, në masë të madhe nuk kanë gjetur zbatim.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka shkruar në rrjetin social Facebook, se në bashkëpunimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, ende vazhdojnë të paraqiten barriera.

“Pas Serbisë, Shqipëria mbetet vendi me më së shumti barriera jo-tarifore për produktet nga Kosova. Produkte të caktuara kosovare më lehte eksportohen në Skandinavi sesa në Shqipëri. Niveli i këmbimeve tregtare mes dy vendeve, është jo më shumë se këmbimet mes dy kompanive mesatare evropiane”, ka shkruar Rukiqi.

Kosova dhe Shqipëria i kanë filluar takimet e përbashkëta në nivel të qeverive që nga viti 2014.

Deri më tani janë mbajtur pesë takime të përbashkëta. Sa u përket marrëveshjeve, është thënë se qëllimi i tyre është një qeverisje e përbashkët strategjike me një vizion euroatlantik.

Por, përtej këtij zotimi, përplasjet në mes dy qeverive kanë filluar pas qëndrimeve të kundërta rreth projektit të quajtur, “Mini-Shengeni” ballkanik. Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, konkretisht Shqipëria, Serbia e Maqedonia e Veriut, pa Kosovën,kanë nënshkruan një deklaratë të përbashkët, e cila bazohet në zbatimin e lëvizjes së lirë të mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve. Të gjitha takimet e deritashme, i kishte refuzuar Kosova./REL

 

Fraksion.com