“Alarm për grusht shteti”; Spartak Braho: Çuditem me Metën!
Deputeti Spartak Braho ka komentuar sot deklaratat e presidentit Ilir Meta si edhe të opozitës, lidhur me përgatitjet për një grusht shteti në vend.
Deklaratat Braho i bëri në mbledhjen e komisionit të sigurisë, në të cilin po diskutohet akti normativ i qeverisë për paketën Anti-KÇK.
“Çuditem me një gjë, nuk e kuptoj alarmin e opozitës dhe kreut të shtetit se po bën grusht shteti Edi Rama. Si mund të bejë grusht shteti Edi Rama kundër vetes së tij? Opozita mund të bëjë grusht shteti. Është jo vetëm qesharake por një lloj justifikimi. Jam deputet i vjetër dhe ka pas raste kur Sali Berisha ka tentuar grusht shteti. Si mund të bëjë mazhoranca grusht shteti kur pushtetin e ka.” u shpreh Braho.
“Nuk e bën grushtin e shtetit ai që është në pushtet. Grusht shteti, do të thotë të marrësh pushtetin me dhunë, por si mund ti bjerë shumica pushtetit të saj. Kaq e thjeshtë është logjika. Unë kam një merak, duhet kujdes për procedurat e aplikimit, duhet të jenë serioze dhe të goditura. Kam biseduar me ministrin për një rast flagrant, kjo është porosia ime” tha ai.
Ndër të tjera Braho theksoi se Shqipëria nuk është vendi i parë që aplikon masa të jashtëzakonshme kundër kriminalitetitm ndërsa solli si shembull Italinë apo SHBA, pasi u godit nga sulmet terroriste të 11 shtatorit.
“Nuk jemi ne të parët që aplikojmë masa të jashtëzakonshme kundër kriminalitetit. Italia në vitet ’80, i ka aplikuar ato. SHBA pas 11 shtatorit aplikoi masa të forta që preknin të drjetat e njeriut. Edhe ne kemi zgjedhur këtë masë.” tha Braho.
Fraksion.com