AktualitetTë fundit

OFL shkon në Berat; 2 ‘të fortët’ e dënuar për trafik droge të provojnë pasurinë brenda 48 orësh

Operacioni Forca e Ligjit u ka kërkuar të justifikojnë pasuritë dy të dënuarve me burg për trafik droge nga drejtësia italine. Gazmend Mahmutaj dhe Edison Çobo nga Berati, kanë marrë me shkrim kërkesën nga OFL për të dorëzuar një autodeklaratë për pasuritë dhe burimin e tyre.

Si subjekt i Ligjit Special, ata duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së. Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme

I rrezikshmi i Beratit i dënuar për drogë, grabiti mikun biznesmen

Edison Çobo nga Berati është personi i dytë që Operacioni Forca e Ligjit njoftoi sot se i ka dërguar formularin për të justifikuar pasurinë, pasi në të kundër do të dërgohet në SPAK kërkesa për sekuestrim. Çobo i dënuar në Itali për trafik droge është një emër i njohur shumë edhe për drejtësinë shqiptare, pasi në 2018 është arrestuar, ndërsa është skeduar për disa vepra kriminale.

Në datë 24 mars të vitit 2018 ai u arrestua, pasi ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier me vendim më datë 25.09.2017 për prodhim dhe shitje droge në bashkëpunim. Por ngjarja më e rëndë për të cilën është akuzuar ai ka ndodhur në vitin 13 korrik të vitit 2013.  Çobo së bashku me tre persona të tjerë grabitën shtëpinë e biznesmenit Edmond Piti nga Ura Vajgurore. Ata hynë me forcë në shtëpinë e biznesmenit dhe e detyruan t’u jepte 20 milionë lekë të reja.

Edmond Piti, pronar i një pike karburanti ishte i njohuri i tij. Tashmë Çobo duhet të përballet me drejtësinë sërish për të justifikuar pasurinë që ka vendosur në vite dhe që dyshohet se është bërë me aktivitet të paligjshëm të trafikut të drogës. Çobo momentalisht ndodhet në burgun 313 në Tiranë ku së bashku me Klaudio Hasajn, Iliro Harunin, Skender Vrenozin, Gentian Vrenozin, Ervis Vrenozin, Spartak Cerajn dhe Renato Agalliun, po gjykohen për akuzën e “Trafikimit të narkotikëve”, në bashkëpunimin, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve e municionit”.

Gazmend Mahmutaj, si i shpëtoi drejtësisë italiane me emër të rremë në avion me deputetët
Gazmend Mahmutaj është dënuar për trafik droge dhe shfrytëzim prostitucioni në Itali. I lidhur me emrin e tij ka qenë edhe kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i cili është dënuar në itali me 3 vite burg dhe ndalim të ushtriimt të posteve shtetërore për akuzën e “përkrahjes së të inkriminuarve”, pasi sipas Gjykatës së Apelit në Milano, me një vendim të 23 prillit 2000, Mediu, në emër të parlamentit shqiptar, ka favorizuar të kërkuarin nga drejtësia italiane, pikërisht Gazmend Mahutajn me të cilin kishte miqësi, për të kaluar tranzit nga vendi ynë drejt shtetin fqinj me emër të rremë (Raqi Gjoni). Për këtë ngjarje, në atë kohë, Fatmir Mediu për Shqiptarja.com deklaronte se është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Lartë italiane.

Më 18 nëntor 1998, Gazmend Mahmutaj, një personazh i njohur i botës së krimit në Berat, ishte duke kaluar tranzit në aeroportin ”Malpensa” në Milano bashkë me një grup parlamentarësh shqiptarë. Deputetët shkonin në Parlamentin Evropian për një mbledhje për krimin e organizuar. Mahmutaj, e dinte që ishte në kërkim nga autoritetet italiane, ndaj duke përfituar nga miqësia me kryetarin e PR-së, thotë drejtësia italiane, – Fatmir Mediu kishte siguruar dokumente të falsifikuara me emrin Raqi Gjoni.

Trupi gjykues në Itali, në shkallën e Parë dhe atë të Apelit, kishte arritur në përfundimin e se Mediu e ka ndihmuar Mahmutaj t’i shmanget drejtësisë italiane duke mos vuajtur dënimin. Mediu u dënua me 4 vite e 6 muaj burg dhe pas procedurës me gjykim të shkurtuar, ai u dënua me 3 vite burg. Por vetë Mediu shprehej se ka marrë pafajësi nga Gjykata e Lartë dhe se kjo çështje nuk ka vend për aludime.

Gazmend Mahmutaj është vëllai i Kasem Mahmutaj i kandiduar nga Partia Republikane në zgjedhjet lokale te vitit 2007 dhe në vitin 2015 u kandidua nga PD e drejtuar nga Lulzim Basha, po për kryetar Bashkie Berat. Kasem Mahmutaj ka qenë drejtor i objektit më të madh të industrisë ushtarake  në Poliçan, duke qenë njëkohësisht dhe kreu i Partisë Republiken në Berat që në mars të 2008./shqiptarja.com

 

Fraksion.com