AktualitetEkonomiTë fundit

Konkurrenca miraton me kusht blerjen e Abcom nga Vodafone; Një vit monitorim të tarifave dhe ofertave

Abcom do të kalojë përfundimisht nën pronësinë 100 % te Vodafone Albania pas miratimit të transaksionin nga Autoriteti i Konkurrencës. Vendimi është marë me datë 7 shkurt por është publikuar vetëm dje në faqen e Autoritetit dhe është një autorizm me kushte dhe detyrime pasi ky transaksion do të ketë impakt në tregun e komunikimeve elektronike dhe kryesisht në tregun e komunikimeve në rrjetet fikse. 

Sipas vendimit, përqëndrimi i përftimit të kontrollit të shoqërisë ABCom SHPK nga shoqëria Vodafone Albania SHA me kushte dhe detyrime si më poshtë vijon:

  1. Detyrimin e shoqërisë Vodafone Albania SHA të mos abuzojë më pozitën e saj dominuese nëpërmjet :
  • Vendosjes në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të çmimeve të padrejta të tregtimit dhe detyrimin e orientimit e tyre drejt kostos së shërbimeve,
  • Vendosjes së palëve në kushte të pabarabarta për veprime tregtare të njëjta, e të pafavorshme për konkurrencën,
  • Vendosjen e kushteve për lidhjen e kontratave me palët e tjera, ku këto të fundit të pranojnë detyrime shtese, të cilat nuk kanë lidhje me objektin e kontratave në fjalë.
  1. Detyrimin e shoqërisë Vodafone Albania SHA dhe ABCom SHPK, për ndarjen e llogarive ekonomike për shërbimet e telefonisë fikse dhe celulare, e cila do të bëjë të mundur evidentimin e burimit të gjenerimit të të ardhurave.

Konkurrenca ka vendosur monitorim për një periudhë 1 vjeçare nga marrja e këtij vendimi, të veprimtarisë së shoqërive Vodafone Albania SHA dhe ABCom SHPK dhe i detyron të dyja të njoftojnë paraprakisht pranë Autoritetit të Konkurrencës për të gjitha ndryshimet që do të kryejnë në paketat ekzistuese dhe paketat e reja që do të hedhin në treg, gjatë periudhës së monitorimit.

Gjithashtu Konkurrenca i rekomandon AKEP, që të miratojë paraprakisht çdo paketë të re që përmban shërbime të kombinuara në tregun e telefonisë celularë, fikse dhe shërbimin e internetit. Ofruesit e paketave, duhet të deklarojnë çmimin për njësi shërbimi që këto paketa përmbajnë.

Më datë 25 tetor 2019, u nënshkrua “Marrëveshja për Shitje dhe Blerje”, ndërmjet Vodafone Albania SHA dhe American Broadband B.V., në lidhje më shitjen dhe blerjen e të gjithë aksioneve në shoqërinë ABCom SHPK. Pas mbylljen së marrëveshjes, VFAL do të përfitojë kontrollin e vetme, më anë të blerjes së 1 (një) kuotë që përbën gjithë kapitalin e regjistruar të ABCom SHPK dhe transaksioni plotëson kriteret e nenit 10, pika 1 germa b të Ligjit 9121/2003 ‘‘Për mbrojtjen e Konkurrencës”, i ndryshuar. Nëpërmjet këtij transaksioni, VFAL synon për të hyrë në tregun e shërbimeve nëpërmjet rrjeteve fikse, internetit fiks, televizionit me pagesë dhe telefonisë fikse, në shërbimin broadband-it fiks në Shqipëri, i cili është plotësisht i shkëputur nga shërbimet e telefoninë celulare.

Aktualisht, në tregun shqiptar, vetëm Albtelecom SHA ofron shërbime /kombinim të paketave fikse dhe celulare por të dhënat e AKEP treguan se depërtimi i shërbimit fiks në popullatë është ndjeshëm më i ulët se vendet e rajonit dhe më tej, dhe nëse tregu do të përparojë në drejtim të paketave të lidhura, VFAL, mbështetur dhe në fuqinë e tij ekonomike, do të konkurrojë Albtelecom SHA për ofertat e shërbimeve.

Konkurrenca, në përfundim të analizës, ka konstatuar se transaksioni i njoftuar do të sjellë efekte horizontale vetëm në tregun e shërbimit të linjave me qera ku pjesa e kombinuar e tregut pas përqendrimit do të arrijë në XX % pa shkaktuar problematika për konkurrencën për shkak të krijimit apo forcimit të pozitën dominuese në treg.

Gjithashtu ky transaksion pritet të ketë efekte vertikale në tregun e ternimimit më shumicë të thirrjeve telefonike mes rrjeteve fikse dhe celulare, nga ku konstatohet se nuk do të këtë efektet mbi konkurrencën dhe për më tepër ky treg është objekt vlerësimi nga AKEP. Në tregjet e komunikimeve fikse dhe celulare më pakicë nuk kemi mbivendosje pjesësh tregu pasi palët operojnë në tregje të ndryshme dhe për pasojë nuk do të ketë efekte mbi konkurrencën.

Por AK vlerëson se ka efekte konglomerate, të cilat kanë të bëjnë më tregjet plotësuese. Pas transaksionit pala blerëse do të mundësoje aksesin e shërbimeve në tregun e rrjeteve fikse dhe do të jetë konkurrenti më i afërt i shoqërisë Albtelecom SHA. Konkurrenca pas transaksionit do të nxitet drejt paketave të shërbimeve fikse-celulare, të kombinuara më shërbime të tjera duke përfshirë edhe transmetimet televizive.

Komisioni i Konkurrencës konkludon se transaksioni i propozuar nuk do të sjellë krijim apo forcim të pozitës dominuese të shoqërisë VFAL në tregjet e prekura, por duke qenë se shoqëria VFAL siguron pjesën më të madhe të të ardhurave nga shërbimet e komunikimeve elektronike, zotëron pozitë dominuese në tregun e komunikimeve elektronikë në rrjetin celular, ka eksperiencë e saj dhe të grupit që përfaqëson në tregjet përkatëse të produkteve, mendohet që ky transaksion do të ketë impakt në tregun e komunikimeve elektronike dhe kryesisht në tregun e komunikimeve në rrjetet fikse. /Monitor

 

Fraksion.com