AktualitetTë fundit

Konferenca e Donatorëve; Braçe të prekurve nga tërmeti: Paratë janë tuajat për t’ju kthyer në shtëpi

Një ditë më parë në Konferencën e Donatorëve, në Bruksel, u mblodhën 1.15 miliard euro nga rreth 100 vende.

Zëvendëskryeministri Erion Braçe falënderoi shtetet që kontribuuan për Shqipërinë dje në Konferencën e Donatorëve, ndërsa theksoi se paratë do shërbejnë për të kthyer në shtëpi të dëmtuarit nga tërmeti.

“Me shpirt shumë shumë faleminderit! Te gjithëve, Bashkimit Europian, Presidentes se KE-së që nuk na la kurrë vetëm, asnjë ditë nga tërmeti deri sot, Gjermanisë, Francës, Italisë, fqinjëve tanë, Turqisë e Greqisë, çdo vendi të Europës dhe Lindjes së Mesme; Shteteve të Bashkuara posaçërisht që janë gjithnjë me ne, shqiptarët, Japonisë që është përherë, mirënjohës për çdo cent e milionë të dhuruar dhe angazhuar”, u shpreh Braçe.

Braçe duke iu drejtuar të prekurve nga tërmeti, theksoi se paratë janë tuajat për t’ju kthyer në shtëpi.

“Ndërkohë, pas më shumë se dy muajsh, edhe një herë shumë faleminderit çdo shqiptari që humbi jetë e shtëpi, është në vështirësi prej shtatorit të vitit që shkoi dhe është në çadër prej nëntorit, për durimin; vuajtja juaj e këtyre muajve është përgjegjësi për ne, për mua e cilindo tjetër që ishte me ju, pa e jetoi tmerrin e humbjes së jetës e pafuqisë për të shpëtuar qoftë edhe një jetë më shumë! Nuk do e tradhtojmë kurrë duke prekur apo lejuar çdo lloj abuzimi me paratë tuaja, po, këto janë paratë tuaja, do jenë tuajat për t’u rikthyer një jetë të sigurt e të qetë”, shprehet ai.

Po ashtu Braçe shtoi se “Tani duhet punë, edhe më shumë punë, shumë më tepër punë, me nder, dinjitet e në dritë te diellit çdo minutë, me ritëm tërësisht tjetër për të rimëkëmbur Durrësin, Tiranën, Krujën, Laçin e Lezhën, rimëkëmbur destinacionin turistik në këto anë; rikthyer jetën e sigurt e të qetë njerëzve, rikthyer ekonominë në zhvillim e rritje”.

 

Fraksion.com