AktualitetOp-EdTë fundit

“I vetmi kundërshtar serioz i Ramës”; Kush përfiton nga dobësimi i opozitës së bashkuar?

Nga Edison Balla

Dalja nga parlamenti dhe “djegia” e mandateve mbase nuk ishte rruga e duhur për t’ju imponuar qeverisë së Ramës. Konfirmim ky thuajse i pranuar në heshtje edhe nga vetë aktorët opozitarë. E më pas një tjetër vendimarrje mbase jo e llogaritur mirë ishte edhe vendimi për të mos marrë pjesë në zgjedhjet vendore të qershorit.

Vendim ky që në njëfarë mënyre vulosi edhe daljen përfundimtare të opozitës së bashkuar nga jeta insitucionale e vendit. Kjo sepse pas daljes nga parlamenti, bashkitë e qeverisura nga opozita përbënin le të themi kalanë e fundit të saj.

Por edhe kur u premtuan arritje të mëdha politike me këto vendimarrje shumë radikale siç thamë, pas tre vitesh opozitë për hirë të së vërtetës asnjëra prej tyre nuk u arrit.

Largimi i Ramës dhe zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme si kërkesa të artikuluara vazhdimisht nga opozita e bashkuar, duket që janë akoma larg për të qenë të vërteta.

E kur gjithë kjo u bë me idenë për ta forcuar edhe më shumë opozitën, ne sot shohim nga ana tjetër një qeveri me shumë pushtet që tashmë ka në dorë gjithçka. Dhe kjo erdhi si pasojë e lëshimit të terrenit të vazhdueshëm që bëri opozita në vendimarrjet dhe tërheqjet e saj nga aksionet.

Njëkohësisht duhet pranuar që veç qeverisë që duket sikur mori pushtet të pakufinjtë me largimin e opozitës nga jeta insitucionale, edhe vetë brenda opozitës ka pasur pikëpyetje kur vjen puna tek bërja e llogarive se kush ka humbur dhe kush ka fituar nga këto lëvizje në bllok.

Përshembull jo pak është artikuluar publikisht nga anlistë e opinionistë se dalja nga parlamenti dhe mospjesëmarrja në zgjedhjet e qershorit ka dëmtuar më shumë LSI-në.

Kjo për vetë faktin se kjo parti ka një elektorat disi më të ri dhe të luhatshëm, ndaj edhe dalja nga insitucionet është parë me shumë dyshim për vazhdimin si faktor në tryezën politike të vendit.

Nga ana tjetër këto lëvizje mbase nuk i kanë prishur shumë punë punë Partisë Demokratike e cila duhet që ka një elektorat më të qëndrueshëm e besnik.

Nuk mund të lëmë pa përmendur edhe faktin e krijimit të “opozitës së re parlamentare” e cila duhet thënë është bërë ekzistenciale politikisht duke përfituar nga dalja e opozitës së bashkuar nga parlamenti.

Kjo me gjasë e ka forcuar atë duke i dhënë rëndësi brenda parlamentit por edhe jashtë saj.

E së fundmi, por jo nga rëndësia mund të themi që nga dalja e opozitës së bashkuar nga insitucionet ka “përfituar” politikisht edhe Ilir Meta, i cili tashmë në mungesë të një opozite frontale është i vetmi kundërshtar serioz i Ramës./Shqip

 

Fraksion.com