“Talibanët s’duan marrëveshje”; Kryejnë përsëri sulme
Zyrtarët afganë kanë thënë se të paktën pesë ushtarë afganë janë vrarë në një bazë ushtarake në veri të Afganistanit, pas bastisjeve të kryera nga talibanët, pavarësisht pritjeve për “ulje të dhunës”.
Sulmi ka ndodhur në Shora Khak të provincës Kunduz, disa ditë pasi Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper ka thënë se është arritur marrëveshje shtatëditore me talibanët për ulje të shkallës së dhunës.
“Fatkeqësisht pesë trupa ushtarake kanë rënë dëshmorë dhe tre janë plagosur”, ka thënë ministria afgane e Mbrojtjes më 17 shkurt.
Ministria ka thënë se ka pasur viktima edhe në mesin e talibanëve.
Enhamuddin Rahmani, zëdhënës i policisë në Kunduz, ka thënë se luftimet kanë zgjatur disa orë dhe se të dyja palët kanë raportuar viktima.
Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid ka thënë në një postim në Twitter se militantët kanë vrarë 19 zyrtarë të sigurisë në sulm dhe kanë konfiskuar armë dhe pajisje tjera ushtarake.
Ndaras, shefi ekzekutiv i Afganistanit, Abdullah Abdullah, ka thënë në një takim të ministrave më 17 shkurt, se talibanët janë pajtuar për ulje të shkallës së dhunës në prag të nënshkrimit të marrëveshjes për paqe me Shtetet e Bashkuara.
Kjo marrëveshje është thënë se mund të arrihet më 29 shkurt.
Ende nuk është bërë e qartë se kur pritet të nisë zbatimi i paktit për ndalje të dhunës.
Fraksion.com