SHBA: Ish-prokurorët thirrje për dorëheqjen të Prokurorit të Përgjithshëm
Më shumë se 1,100 ish-prokurorë amerikane dhe ish-zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë bënë thirrje të dielën për dorëheqjen e Prokurorit të Përgjithshëm William Barr lidhur me atë që e quajnë ndërhyrje të tij për t’i shkurtuar dënimin Roger Stone, një bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit Donald Trump.
Katër prokurorë federalë në karrierë, pjesë e Departamentit të Drejtësisë të kryesuar nga zoti Barr, kishin rekomanduar që zoti Stone të dënohej deri në nëntë vjet burg, pas dënimit të tij në muajin nëntor me shtatë akuza, që përfshinin atë për mashtrim të Kongresit dhe manipulim të dëshmitarëve, të lidhura këto me hetimin mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane të vitit 2016. Por zoti Barr dhe zyrtarët e lartë të Departamentit të Drejtësisë u shprehën të tronditur më afatin e kërkuar nga prokurorët. Zoti Trump e quajti atë “dështim të drejtësisë”. Zoti Barr ndërhyri dhe Departamenti i Drejtësisë tha se rekomandimi fillestar “mund të konsiderohet i tepërt dhe i pajustifikuar”, por ia la gjykatësit që të vendosë se cili do të jetë dënimi i duhur në seancën e së enjtes.
Ish-prokurorët dhe zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë, që i përkasit të gjithë spektrit politik amerikan, thanë në një letër të hapur të dielën se “secili prej tyre dënon me forcë ndërhyrjen e Presidentit Trump dhe Prokurorit të Përgjithshëm Barr për të dhënë një vendim të drejtë”. Zoti Barr ka thënë për transmetuesin televiziv ABC News se nuk ka biseduar me zotin Trump lidhur me dënimin e zotit Stone, por ish-prokurorët thanë se veprimet e zotit Barr për fat të keq thonë më shumë se fjalët e tij.
“Këto veprime dhe dëmi i shkaktuar në reputacionin e Departamentit të Drejtësisë ndaj integritetit dhe sundimit të ligjit, kërkojnë që z. Barr të japë dorëheqjen”, shkruanin në letrën e tyre ish-prokurorët amerikanë.
Fraksion.com