AktualitetBota+Të fundit

Përplasjet Pelosi-Trump dhe fushata për zgjedhjet e nëntorit

Përpjekja e Demokratëve të Dhomës së Përfaqësuesve për të shkarkuar Presidentin Donald Trump nga detyra me akuzat për abuzim të pushtetit dhe pengimit të Kongresit dështoi në Senat në fillim të këtij muaji dhe presidenti tani është më popullor se kurrë më parë. Por kjo nuk e ka ndalur kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi të vazhdojë ta kritikojë Presidentin Trump për ato që ajo thotë se janë një “manifest i të pavërtetave”. Korrespondentja e Kongresit të Zërit të Amerikës, Katherine Gypson njofton mbi atë se çfarë pritet të ndodhë në marrëdhëniet mes Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit.

Për më shumë se tre vjet, disa në Kongres besuan se asnjë politikan nuk do të ballafaqohej me Presidentin Trump më me shkathtësi sesa Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi.

Por pasi nuk arriti ta shkarkonte presidentin nga detyra, ajo përballet me një vendim për hapat e ardhshëm ndërsa partia e saj po përpiqet ta mposhtë atë në zgjedhjet e nëntorit.

“Unë mendoj se ju duhet t’i jepni fund këtij episodi që ne fituam dhe ata humbën”, thotë senatori Mitch McConnell, udhëheqës i shumicës republikane në Senat.

Ajo mund të vazhdojë kundërshtimin e saj publik ndaj presidentit, ashtu siç bëri pas fjalimit të Presidentit drejtuar vendit, kur ajo i grisi fletët e fjalimit të Presidentit.

“Arsyeja pse ky veprim tërhoqi kaq shumë vëmendjen është se ai ishte një simbolikë e gjëndjes në të cilat dy palët ndodhen, jo sepse pati një ndryshim”, thotë Heather Hurlburt nga Fondacioni Amerika e Re.

Kjo qasje do të shkaktojë reagim të fortë nga republikanët dhe gjithashtu mund të jetë jopopullor me votuesit në një vit zgjedhor.

“Demokratët e dinin që republikanët nuk do të votonin për ta shkarkuar Presidentin, për aq kohë sa vendi nuk përballej me një kolaps ekonomik. Cili do të ishte qëllimi? Unë mendoj se ata e kuptojnë se kjo do të dëmtonte politikisht demokratët”, thotë Matt Dallek nga Universiteti Goerge Washington.

Edhe nëse nuk mund të ngrejnë akuzat për shkarkim përsëri, ligjvënësit janë zotuar se do të vazhdojnë hetimet ndaj presidentit.

“Komisioni Juridik i Dhomës së Përfaqësuesve gjithmonë ka si opsion paraqitjet me detyrim (të dëshmitarëve)”, thotë ligjvënësi demokrat Jerry Nadler.

Një seri vendimesh në pritje të gjykatës për aleatët e Presidentit Trump si këshilltari i fushatës Roger Stone ka të ngjarë të mbajnë tensionet politike të larta.

“Ky është një abuzim i pushtetit që Presidenti po përpiqet përsëri të manipulojë forcat federale të zbatimit të ligjit për interesat e tij politike. Dhe Presidenti është ai që është. Ai mendon se është mbi ligjin, nuk ka respekt për rendin, por ku janë republikanët që duhet të flasin për këtë shkelje të ashpër të sundimit të ligjit?”, thotë Kryetarja e Dhomës së Përfsqësuesve, Nancy Pelosi.

Republikanët nuk duken të prirur të kritikojnë Presidentin në një vit zgjedhor, dhe ata nuk do t’i ndihmojnë iniciativat politike të demokratëve në Senatin e kontrolluar nga Mitch McConnell.

Kjo e lë zonjën Pelosi me një mundësi: përballjen me Presidentin Trump pavarësisht rreziqeve politike.

 

Fraksion.com