Konferenca e donatorëve për Shqipërinë tërheq vëmendjen e medias ndërkombëtare
Konferenca e donatorëve ndërkombëtarë për të ndihmuar Shqipërinë në procesin e rindërtimit, pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe shuma e mbledhur atje, 1,15 miliardë euro, tërhoqi vëmendjen e medias ndërkombëtare:
THE WASHINGTON POST
”Donatorët ndërkombëtarë kanë angazhuar mbi një miliardë euro për Shqipërinë, pas tërmetit të vitit të kaluar.
Bashkimi Evropian udhëhoqi premtimin e ndihmave në një konferencë të posaçme për mbledhjen e fondeve për të rindërtuar gjithçka nga shtëpitë dhe bizneset në spitalet që u shkatërruan në tërmetin e 26 nëntorit”, shkruan gazeta prestigjioze amerikane.
ASSOCIATED PRESS
”Takimi mblodhi vende donatore edhe nga SHBA, Kanada dhe Izraeli.
“Ne e kemi tejkaluar objektivin tonë për rindërtimin”, tha presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen.
“Kjo është përtej imagjinatës sime më të shfrenuar”, tha kryeministri shqiptar Edi Rama në fund të konferencës.
AFP
“Lajm i mirë për qytetarët e Shqipërisë. Ne kemi tejkaluar objektivin tonë për rindërtimin e Shqipërisë dhe kemi arritur një total prej 1,15 miliardë eurosh”, citon agjencia franceze e lajmeve, AFP, presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
ANSA
Shqipëria grumbullon 1,15 miliardë euro si ndihmë pas tërmetit.
“Në fund të konferencës së donatorëve ndërkombëtarë për Shqipërinë, jam krenar të njoftoj një angazhim kolektiv prej 1,15 miliardë eurosh. Një mesazh i fortë për popullin shqiptar: ne kujdesemi!”, citon agjencia italiane e lajmeve, komisionerin e Zgjerimit, Oliver Varhelyi.
NOVA
Me titullin ”Eurokomisioneri Varhelyi njofton 1,15 miliardë euro për rindërtimin në Shqipëri”, agjencia italiane e lajmeve, Agenzia Nova tha se ”kjo shumë nga komuniteti ndërkombëtar do të ndihmojë përpjekjet e rindërtimit në Shqipëri pas tërmetit që goditi vendin më 26 nëntor”./ata
Fraksion.com