Konferenca e Donatorëve në Bruksel; Ahmetaj: Presim 450 milionë euro mbështetje
“Solidariteti është shumë i madh, megjithatë shifra në fund do ta materializojë këtë solidaritet”, tha ai në një intervistë për Deutsche Welle-n ndërsa sot do të zhvillohet Konferenca e Donatorëve për të ndihmuar përpjekjet e Shqipërisë për Rindërtimin pas tërmetit.
Ministri Ahmetaj u shpreh se pret që në kombinim me grante dhe kredi të arrihet të mblidhet një ndihmë rreth 450 milionë euro për Shqipërinë.
“Për shkak të turit që ka bërë kryeministri në disa vende, për shkak të ndjeshmërisë në vendet europiane presim një shifër përafërsisht të tillë”, deklaroi Ahmetaj.
Megjithatë ai thekson, se nevojat janë shumë më të mëdha. “Jam i shqetësuar se si do t’i japim impuls ekonomisë këto vite e si do të mënjanohen dëmet në infrastrukturë”, tha ai.
Në Bruksel zhvillohet sot Konferenca Ndërkombëtare e Donatorëve e iniciuar nga Bashkimi Europian në ndihmë të Shqipërisë, pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit. Qeveria shqiptare shkon aty me pritshmëri modeste.
Hapin e parë të mbështetjes së Shqipërisë pas tërmetit me pasoja tragjike me 51 viktima e 913 të plagosur më 26 nëntor, Komisioni Europian e bëri menjëherë pas tërmetit me dërgimin e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE në Shqipëri me kërkesë të qeverisë shqiptare. Ndërsa në dhjetor KE bëri të ditur dhënien e një ndihme prej 15 milionë eurosh Shqipërisë me prioritet rikonstruktimin e ndërtesave publike.
Në këto muaj autoritetet përkatëse nga Bashkimi Europian, OKB-ja, Banka Botërore dhe qeveria shqiptare punuan për përpilimin e raportit të vlerësimit për dëmet e tërmetit, të paraqitur ditët e fundit. Si pasojë e katastrofës u prekën më shumë se 47 mijë vetë drejtpërdrejt nga tërmeti, thuhet në raportin përfundimtar të qeverisë shqiptare të paraqitur para pak ditësh, ndërkohë që 17 mijë vetë u detyruan të zhvendosen për shkak të humbjes së shtëpive. Në përgjithësi si pasojë e katastrofës u prekën në tërësi 202 291 vetë, nënvizon raporti. Zonat më të prekura janë Shijaku, Durrësi, Kruja, Tirana, Kamza, Kavaja, Kurbini dhe Lezha.
Ky raport përfundimtar për dëmet e tërmetit do të shërbejë si bazë orientuese për Konferencën e Donatorëve të hënën dhe përpjekjet për rindërtimin dhe rehabilitimin e pasojave të tërmetit.
Raporti e llogarit shifrën e përgjithshme të dëmeve të tërmetit me afër 1 miliardë euro. Se sa fonde do të mblidhen në Bruksel në ndihmë të Shqipërisë, kjo nuk dihet ende, por për qeverinë shqiptare shpresëdhënës duhet të jetë fakti, që konferenca e donatorëve bëhet nën drejtimin e vetë presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Prezentë do të jenë edhe kreu i Këshillit të BE, Charles Michel dhe komisioneri i Zgjerimit, Olivér Várhelyi, asistentja e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Mirjana Spoljaric, kurse nga Shqipëria në konferencë do të marrë pjesë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, së bashku me ministrin e rindërtimit, Arben Ahmetaj e koordinatoren kombëtare për vlerësimin e dëmeve të tërmetit, Milva Ekonomi.
Kryeministri i Shqipërisëi cili ishte pjesëmarrës në Konferencën e Sigurisë në Mynih i shfrytëzoi ditët e konferencës për të tërhequr sa më shumë donatorë për Shqipërinë. Ai u shpreh megjithatë i përmbajtur për mediet.
“Nuk bëhet fjalë për të arritur që të përmbushim të gjitha nevojat, por sidoqoftë të mbetemi në një nivel, që sado modest, të mund të ketë një peshë në këtë proces”, është shprehur kryeministri.
Fraksion.com