AktualitetTë fundit

Konferenca e Donatorëve; Franca dhuron 100 milionë euro dhe 60 milionë euro

Shtetet pjesëmarrëse në Konferencën e Donatorëve që po zhvillohet sot në Bruksel ofruan ndihmë financiare për përballimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit 2019 në Shqipëri.

Më herët Komisioni Europian i akordoi Shqipërisë 115 milionë euro.

Franca i ofroi Shqipërisë ndihmë financiare në vlerë 100 milionë euro për projekte në infrastrukturë dhe një hua prej 60 milionë euro për rindërtimin e kanalizimeve dhe sistemit ujor të Shqipërisë që është dëmtuar nga tërmeti, për të siguruar ujë të pijshëm për popullsinë si edhe 1 milion euro do të jetë në formën e ndihmës humanitare që ne e vumë në dispozicion menjëherë pas katastrofës. Ne kemi marrëveshje ndërqeveritare që përcakton angazhimin e Agjencisë Franceze për Zhvillim për të ndihmuar Shqipërinë, është një kontratë që ne do të financojmë projekte për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.

Republika Federale e Gjermanisë akordoi 11 milionë euro grante kontribut të konsiderueshëm për rindërtimin e shkollave e ndërtesave të tjera publike dhe të konvikteve në Tiranë.

Mbretëria e Suedisë do të japë 5.6 milionë euro në grante. Këto fonde do të përqendrohen për gatishmërinë në kuadër të emergjencave civile.  Do të kontribuojmë për ndërtimin e kapaciteteve përmes Agjencisë së Zhvillimit dhe Emergjencave suedeze.

Mbretëria e Holandës u angazhua të ndihmojë Shqipërinë me 3 milionë euro për aktivitetet rindërtuese.

Mbretëria e Danimarkës ka angazhuar 5 milionë korona daneze pjesë të ndihmës fillestare, ndërkohë që sot ofron edhe 2 milionë euro të tjera. Kjo e çon mbështetje totale në 2.7 milionë euro.

Republika e Polonisë është e gatshme të kontribuojë me 2.7 milionë euro për rindërtimin e infrastrukturës në Shqipëri.

Republika e Greqisë do të angazhojë 2.5 milionë euro që do të disbursohen në procesin e rindërtimit, ndërkohë që është e gatshme të kryejë një sërë projektesh për trajnimin për mbrojtjen antisizmike, për studime tektonike e sizmike. Shpresojmë të jemi në rrugën e duhur në ofrimin e ndërtimit të 200 shtëpive.

Greqia përkrahu Shqipërinë menjëherë pas tërmetit, është një nga vendet e para që ofroi ekspertizë e ndihmë si miq e fqinj të Shqipërisë me dy ekipe kërkim-shpëtimi me 43 persona dhe 60 inxhinierë që kryen vlerësimin e ndërtesave në fazën e emergjencës.

Republika e Sllovakisë ka vazhduar përpjekjen për të dhënë 250 mijë euro për rindërtimin e objekteve arsimore.

Austria akordoi 1 milionë euro në fushën e strehimit, ndërkohë që ka ofruar pajisje shumë të nevojshme për mekanizmin e mbrojtjes civile dhe në teknologji.

Republika Çeke i ofroi ndihmë Shqipërisë në fazën e parë të reagimit urgjent ndaj tërmetit. “Aktualisht kontributi ynë është 9.5 milionë krona për të rindërtuar një shkollë. Ky kontribut është në përputhje me raportin e vlerësimit të nevojave pas tërmetit dhe është angazhimi ynë zyrtar”, tha përfaqësuesi çek.

Sllovenia ofron 300 mijë euro për ndërtimin e një shkolle në një nga zonat e prekura. “Mbështesim Shqipërinë për integrimin në Europë dhe shpresojmë që vendimi për hapjen e negociatave të merret muajin që vjen”, tha përfaqësuesi slloven.

Finlanda ofroi ndihmë materiale për Shqipërinë që në fazën e emergjencës. Finlanda do të angazhojë 300 mijë euro për rindërtimin dhe rimëkëmbjen.

Portugalia ofron ndihmë teknike dhe kontribut financiar. Kjo është mënyra jonë për të marrë pjesë në mbështetje të autoriteteve shqiptare.

Menjëherë pas tërmetit pati thirrje për ndihmë nga kryqi i kuq ndërkombëtar dhe Kryqi i Kuq Luksemburgas ofroi menjëherë 100 mijë euro ndihmë për emergjencën. Luksemburgu ofron së bashku me komunitetin ndërkombëtar 150 mijë euro përmes UNICEF për të ndihmuar grupet më në nevojë, sidomos fëmijët.

Pas ndihmave të dhëna gjatë fazës së emergjencës prej 120 mijë euro Bullgaria do të japë ndihmë dypalëshe të mëtejshme për të mbështetur Shqipërinë me 100 mijë euro për rindërtimin.

Malta do japë kontribut monetar për të ndihmuar përpjekjet për rindërtim. “Mendoj se mënyra më e mirë për rindërtimin e Shqipërisë dhe për të ngritur moralin e shqiptarëve është që të hapet drita jeshile për në BE”, tha përfaqësuesi maltez.

Azerbajxhani njoftoi fondin e ndihmës prej 500 mijë eurove.

Norvegjia duke shprehur keqardhjen e thellë për popullin shqiptar, njoftoi mbështetjen totale prej 21 milionë koronave norvegjeze.

“Kërkojmë që grupet në nevojë të marrin përparësinë e duhur. Është thelbësore që të normalizohet situata në Shqipëri. Norvegjia është e angazhuar të mbështesë integrimin europian të Shqipërisë”, tha përfaqësuesi norvegjez.

Koreja e Jugut shprehu angazhim dhe solidaritet me viktimat e tërmetit duke theksuar se ka akorduar 300 mijë dollarë amerikanë menjëherë pas rënies së tërmetit.

Lihtenshteini njoftoi kontribut prej 50 mijë eurosh, Algjeria 50 mijë euro, Brunei 50 mijë dollarë.

 

Fraksion.com