Greqi, reagime për ndërtimin e qendrave të paraburgimit për imigrantët
Greqia u përpoq të hënën të zbutë zemërimin e banorëve të ishujve të Egjeut ndaj planeve të qeverisë për të ndërtuar qendra të reja paraburgimi për imigrantët, duke thënë se është e hapur për një kompromis se ku duhet të vendosen të ardhurit.
Qeveria e Athinës i zemëroi banorët e pesë ishujve, duke njoftuar javën e kaluar se do të përshpejtonte ndërtimin e qendrave të mbyllura të paraburgimit për të zëvendësuar kampet e hapura, të mbipopulluara me emigrantë.
Banorët vendas janë të shqetësuar se objektet e reja mund të bëhen qendra të përhershme emigrantësh.
Pesë ishujt në fjalë përdoren nga mijëra emigrantë si korridor për rrugëtimin e tyre drejt Evropës.
Konservatorët në Greqi po mbajnë një qëndrim mjaft më të ashpër ndaj emigracionit sesa paraardhësit e tyre të majtë, duke futur procedura më të shpejta për regjistrimin e azilkërkuesve, për të shtuar numrin e dëbimeve.
Ishujt e Egjeut lindor mbajtën barrën kryesore të vërshimit të refugjatëve dhe migrantëve që arriti kulmin në vitet 2015 dhe 16 dhe që kishte si destinacion vendet e zhvilluara të Evropës.
Por mbylljet e kufijve në korridorin e kalimit përmes Ballkanit dhe Evropës qendrore, kanë lënë mijëra emigrantë të bllokuar në ishujt grekë pranë Turqisë, duke çuar në një mbipopullim të tyre si dhe në incidente të dhunshme apo protesta të azilkërkuesve.
Fraksion.com