Asnjë kompani s’plotëson kërkesat; Dështon sërish tenderi për të vënë në punë TEC-in e Vlorës
Privati do të investojë për të riparuar defektet e termocentralit, si dhe për të ndryshuar sistemin e prodhimit të energjisë, nga naftë, që është aktualisht, në gaz, për të ulur kostot. Ofertuesit duhet të paraqisnin plane të qarta se si do ta vinin në punë këtë vepër duke ndërtuar një degëzim tubacioni rreth 40 km i gjatë për të lidhur termocentralin e Vlorës me Tubacionin Trans-Adriatik (TAP).
Gara e fundit ishte me një fond limit prej 58.7 milionë eurosh dhe sfida ishte mes tri kompanive, që ishin konsorcium dhe më pas në fazën finale arriti vetëm konsorciumi turk Çalik Energy dhe kompania izraelite IE Energy. Burime nga ministria e Infrastrukturës thanë për Report TV se oferta më efikase u konsiderua ajo e konsurciumit turk, por nuk u arrit të nënshkruhej një kontratë pasi kompania në fjalë ka vendosur kushte, një prej të cilëve ishte që qeveria ta jepte gazin falas dhe kompania të bënte pjesën tjetër.
Termocentrali i Vlorës, ishte një investim që kushtoi 130 milionë dollarë, ai ka një fuqi të instaluar prej 97 megavatësh, por nuk u vu asnjëherë në punë. Që nga janari i vitit 2011, TEC-i i Vlorës ka qenë në konservim, pa prodhuar asnjë ditë energji elektrike, për shkak të defekteve dhe kostos së lartë të prodhimit me naftë.
Fraksion.com