Shkarkohet Ministrja e Punës dhe Çështjeve Sociale në Shkup
Parlamenti i Maqedonisë së Veriut, me kërkesë të Kryeministrit Oliver Spasovski shkarkoi të shtunën në mëngjes, Ministren e Punës dhe Çështjeve Sociale Rashela Mizrahi për shkak të mos respektimit të emrit të ri të vendit. Ndërkohë parlamenti po punon me intensitet të shtuar për miratimin e disa ligjeve, si kusht që ka vënë Lidhja Social Demokrate për të shkuar në zgjedhje tç parakohëshme të planifikuara në 12 prill.
Parlamenti i Maqedonisë së Veriut i është përveshur punës këto dy tre ditët e fundit për t’i arritur kushtet për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Pas një debati shumëorësh, parlamenti e shkarkoi në orët e hershme të mëngjesit të sw shtunes ministren e Çështjeve Sociale, Rashela Mizrahi për shkak të mosbindjes së saj për të respektuar emrin e ri kushtetues të vendit. Zonja Mizrahi jepte konferenca shtypi para një tabele ku shkruhej Republika e Maqedonisë pa referencën ‘e Veriut’ ku nuk figuronte as gjuha shqipe, sipas ligjit. Greqia, ndërkohë kishte dërguar një notë proteste për shkeljen e autoriteteve në Shkup të Marrëveshjes së Prespës.
62 deputetë votuan për shkarkimin e saj, ndërsa 26 ligjvënës opozitarë ishin kundër.
“Jam krenare që jam hebreje e Maqedonisë”, u shpreh Rashela Mizrahi nga foltorja e parlamentit duke i dhënë një ngjyrim intolerance të pushtetit ndaj përkatësisë së saj etnike. Kolegët e partisë së saj VMRO thanë se nuk kishte faj zonja Mizrahi por qeveria e cila para afatit të duhur kishte filluar përdorimin dhe zbatimin e emrit Maqedonia e Veriut.
Kryeministri i qeverisë së përkohshme, Oliver Spasovki i cili kërkoi shkarkimin e ministres nga radhët e opozitës, tha se ministrja nuk e ka korrigjuar sjelljen joserioze dhe të papërgjegjshme me të cilën rrezikonte tensionet me vendet fqinje.
“Në disa paraqitje publike ajo e shkeli në mënyrë të ashpër kushtetutën e vendit dhe ligjet që saktësojnë përdorimin e emrit kushtetues të vendit tonë”, tha kryeministri.
Zoti Spasovski ka kërkuar një tjetër emër nga VMRO-ja për plotësimin e vendit të ministrit të Punës dhe Çështjeve sociale.
Parlamenti miratoi edhe ndryshimet në Kodin zgjedhor lidhur me nivelizimin e numrit të votuesve në zonat zgjedhore, duke kaluar Dibrën e Madhe dhe Mavrovën e Rostushen nga njësia e gjashtë zgjedhore në të pestën. Zona e gjashtë që përfshin Tetovën e Gostivarin kishte rreth 50 mijë vota më tepër se zona e tretë zgjedhore në lindje të vendit.
Një deputet në parlamentin republikan rëndomë merr rreth dhjetë mijë vota. Ligji nuk lejon që një zonë të ketë më tepër se pesë përqind të votuesve të regjistruar ndaj një zone tjetër. Secila prej gjashtë zonave dërgon nga 20 deputetë në parlament.
Të shtunën parlamenti duhet ta votojë Ligjin për Prokurorinë publike që është kushti kryesor i Lidhjes Social Demokrate në pushtet për mbajtjen e zgjedhjeve të parkohshme parlamentare më 12 prill. Bashkimi Evropian ka sugjeruar që ky Ligj të miratohet nga kjo përbërje e parlamentit. Ligji duhet të miratohet me dy të tretat e votave në parlamentin prej 120 vendesh. Ndërkaq, dy partitë rivale maqedonase kanë akuzar njëra tjetrën se përmes varianteve të tyre të ligjit për Prokurorinë synojnë të amnistojnë zyrtarët e tyre të korruptuar dhe të inkriminuar.
Të dielën është afati i fundit kur duhet të shpërndahet parlamenti dhe të shpallet zyrtarisht data e zgjedhjeve.
Fraksion.com