Thaçi: Marrëveshja për hekurudhat dhe autostradat, moment historik
Moment historik e ka quajtur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nënshkrimin e marrëveshjes për hekurudhat dhe autostradat, pas marrëveshjes për trafikun ajror.
Përmes profilit të tij në Twitter, presidenti Thaçi për arritjen e kësaj marrëveshje e ka falënderuar presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump si dhe ambasadorin Grenell për vendosmërinë e tij.
“Një tjetër moment historik! Së pari, marrëveshja për trafikun ajror dhe sot kemi nënshkruar marrëveshjen për hekurudhat dhe autostradat mes Kosovës dhe Serbisë. Faleminderit presidentit Trump për lidershipin e tij si dhe ambasadorin Grenell për vendosmërinë e tij. Një hap i madh drejt arritjes së një marrëveshje përfundimtare të paqes ndërmjet dy vendeve”, ka shkruar ai.
Nënshkrimi i kontratës në fjalë u bë nën prezencën e ambasadorit amerikan Richard Grenell dhe presidentëve të dy shteteve Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq.
Në ceremoninë e nënshkrimit ka marrë pjesë edhe ambasadori Philip Kosnett dhe Drejtori i të ashtuquajturës Zyrës Serbe për Kosovën, Marko Gjuriq.
Fraksion.com