AktualitetBota+Të fundit

Spahn: Korona mbetet rrezik global

Infeksionet me virusin e Koronës në BE janë të pakta. Epidemia në Kinë mund të kthehet megjithatë në epidemi botërore, tha Ministri i Shëndetësisë Jens Spahn në një intervistë me DW.

 Në Bruksel, ministrat e shëndetësisë të BE diskutuan  në një takim krize kufizimin e përhapjes së virusit të ri të Koronës. Nuk u vendos asnjë masë specifike, por u ra dakord për një shkëmbim intensiv të informacionit. Ministrat ishin të shqetësuar për telashet e mundshme në furnizimin me medikamente dhe veshje mbrojtëse, të prodhuara në Kinë. Pas takimit, Bernd Riegert foli me Ministrin Federal të Shëndetësisë Jens Spahn (CDU).

Deutsche Welle: Cilat masa shtesë duhet të ndërmarrin Evropa dhe Gjermania për të parandaluar që virusi i Koronës të çojë në një epidemi globale?

Jens Spahn: Para së gjithash, kemi nevojë për një qasje të koordinuar në Evropë dhe ndërkombëtarisht. Kjo është arsyeja pse po përpiqemi shumë të koordinojmë punën në nivel evropian, siç është rasti sot në Këshillin e Ministrave. Në nivelin e G7 (kombet më të rëndësishme të industrializuara në botë) folëm në telefon. Është e rëndësishme që ne të përgatisim veten në mënyrë që të parandalojmë që virusi të arrijë në rajone të tjera, përveç Kinës dhe t’i prekë ato aq sa Kinën. Për momentin kjo është ende një epidemi rajonale në Kinë. Ne duhet të sigurohemi që nuk do të kthehet në një epidemi globale. Nëse kjo ndodh, duhet të jemi të përgatitur për të gjetur terapi të reja dhe një vaksinë. Duhet të krahasojmë vazhdimisht ato që dimë për virusin. Ka njohuri të reja çdo javë. Sa ngjitës është? Sa serioze janë sëmundjet? Duhet të fitojmë kohë për të ditur më shumë.

EU-Ministerrat | Coronavirus | Jens Spahn (DW/L. Schulten)

A do t’i kufizoni udhëtimet për dhe nga Kina, siç kanë bërë SHBA?

Në Gjermani, ne i udhëzuam pilotët të raportonin nëse në bord ka pasagjerë me simptoma, para uljes së avionit. Pasagjerët duhet të tregojnë se ku dhe si mund të kontaktohen në 30 ditët e ardhshme. Mund të na duhet të prezantojmë rregulla të reja për të kuptuar, se cilët pasagjerë kanë qenë në kontakt me njerëz nga Wuhani. Ne e diskutuam këtë në këtë Këshill të Ministrave. Ajo që nuk na nevojitet është matja e temperaturës te pasagjerët. Ne e dimë që kjo nuk do të ndihmojë për shkak të periudhës së inkubacionit dhe infeksioneve pa simptoma.

Kur do të mbarojë më e keqja?

Kjo është një pyetje e mirë. Sikur ta dija! Problemi ynë është se nuk dimë sa duhet rreth virusit. Kjo është arsyeja pse duhet të marrim kaq shumë masa paraprake për t’u përgatitur – për aq kohë sa nuk e dimë se çfarë bën vërtet virusi dhe sa dëm. Deri tani, zbulimi dhe përmbajtja e virusit ka funksionuar në Evropë. Ne jemi në gjendje të thyejmë zinxhirët e infeksionit. Por duhet të pranojmë që kjo vlen për sot. Mund të ndodhë që gjendja të bëhet më e keqe, përpara se të përmirësohet. Për aq kohë sa virusi nuk është nën kontroll në Kinë, epidemia rajonale ende mund të kthehet në epidemi globale.

 

Fraksion.com