S’ka asnjë reagim nga Qeveria për marrëveshjet e nënshkruara në Mynih
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka nënshkruar sot marrëveshjen për hekurudhat dhe autostradën që do t’i lidhin Prishtinën dhe Beogradin. Gjithë këto marrëveshje janë duke u nënshkruar me ndërmjetësimin e emisarit të Trump, Richard Grenell, i cili ka takuar mbrëmë Thaçin e Vuçiqin, ndërkohë para pak kohësh kishte qëndruar edhe në Prishtinë e Beograd.
Mirëpo në gjithë këto zhvillime nuk është përfshirë fare qeveria e re e drejtuar nga Albin Kurti. Në Mynih janë duke negociuar vetëm dy zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, Xhemë Veseli dhe Ramë Qupeva të shoqëruar nga presidenti i vendit.
Edhe përkundër faktit se qysh nga dje është ditur se do të nënshkruhej një marrëveshje e tillë për hekurudha e autostradë, nga qeveria Kurti në Prishtinë ende nuk është bërë asnjë reagim.
Nuk kanë reaguar fare as partnerët e Kurtit në koalicion, Lidhja Demokratike e Kosovës.
Kurti dje kishte bërë një tentim për t’u takuar me Hashim Thaçin para udhëtimit në Mynih me qëllim të bashkërendimit të qëndrimeve që do t’i mbanin në Mynih për çështjen e dialogut me Serbinë dhe taksës, megjithatë në momentin e publikimit të ftesës Thaçi vetëm ishte nisur për në Mynih.
Për në Gjermani pritet të udhëtojë edhe vetë Kurti, i cili do të marrë pjesë në një panel të përbashkët diskutimi me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.
Nga pala serbe në Mynih janë duke marrë pjesë presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic dhe drejtori i të ashtuquajturës ‘Zyra për Kosovën’, Marko Gjuriq./express
Fraksion.com