Singapori, me numrin më të lartë të prekurve nga virusi jashtë Kinës
Jashtë Kinës, Singapori ka numrin më të lartë të rasteve të konfirmuara të koronavirusit.
Kompania DBS në Singapor u tha rreth 300 punonjësve që të punonin nga shtëpia, pasi një anëtar i stafit ishte infektuar me koronavirusin e ri.
Deri më tani, Ministria e Shëndetësisë në Singapor ka konfirmuar 50 raste, shifrat më të larta jashtë Kinës. Në një konferencë në Uashington këtë javë, ish-komisioneri i Administratës së Ushqimit dhe Barnave të Shteteve të Bashkuara, Scott Gottlieb, paralajmëroi një përshkallëzim të mundshëm.
“Nga 50 rastet që janë identifikuar në Singapor, dhe ata kanë një sistem të shkëlqyeshëm për të gjurmuar rastet në këto lloj situatash, 8 aktualisht janë në Njësinë e Kujdesit Intensiv. Ky është një lloj treguesi i ashpërsisë së mundshme të këtij virusi”, thotë zoti Gottlieb.
Ai thotë se situata është shqetësuese:
“Dua t’i kujtoj njerëzit se është mjaft ngrohtë në Singapor tani, rreth 32 gradë celcius, por temperatura bie në darkë. Ndërsa ne do të shpresonim që stina e verës do të ishte ndihma kryesore kundër përhapjes së koronavirusit, nuk mund të jetë ndoshta kështu në këtë rast. Ne kemi një virus shumë të ri që do të transferohet më lehtë sepse njerëzit nuk kanë fituar imunitet”, thotë zoti Gottlieb.
Diku tjetër, gjithsej 16 raste u konfirmuan në Gjermani, tha Ministri i Shëndetësisë Jens Spahn të mërkurën.
Duke folur në Berlin, ai u tha gazetarëve se situata “mund të keqësohet më tej, përpara se të përmirësohet”.
“Kulmi nuk është arritur ende, jo në Kinë, dhe për këtë arsye jo në të gjithë botën, dhe sigurisht jo këtu në Gjermani”, tha zoti Spahn.
Ndërkaq, numri i të infektuarve në bordin e një anijeje në karantinë në portin Yokohama të Japonisë është rritur në 175.
Julie Gerberding, një ish-drejtuese e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), kishte këtë paralajmërim për ligjvënësit në Uashington.
“Përvoja në anijen e lundrimit në Japoni po na tregon se sa i transmetueshëm mund të jetë virusi midis njerëzve që janë në zonën e mbyllur. Pra, ne jemi shumë të shqetësuar në lidhje me perspektivën e izolimit afatgjatë. Nëse ne nuk mund ta përmbajmë atë, unë mendoj se duhet të jemi të përgatitur për atë që do të duhet bëjmë në përpjekje për ta ngadalësuar përhapjen”, tha zonja Gerberding.
Ndërkohë, pasagjerët në kroçierën MS Westerdam – të bllokuar në Gjirin e Tajlandës – po festojnë disa lajme të mira të shumëpritura. Ata janë drejtuar për në Kamboxhia, ku anija do të lejohet të ankorojë, pasi pesë vende refuzuan hyrjen e tyre.
Fraksion.com