AktualitetTë fundit

Dita Kombëtare e Serbisë, ambasadori Zariç: Anëtarësimi në BE përparësia jonë kryesore

15 shkurti, Dita Kombëtare e Serbisë, për nder të fillimit të kryengritjes së parë serbe në vitin 1804, e cila evoluoi në revolucion kundër sundimit osman, u shënua mbrëmjen e djeshme në një pritje të organizuar nga Ambasada e Serbisë në Tiranë.

Në këtë aktivitet ishte i pranishëm Presidenti Ilir Meta, ambasadori i Serbisë në Tiranë, Miroljub Zariç, përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë, përfaqësues të medies, etj.

Në fjalën e tij ambasadori serb Zariç, theksoi se “Serbia e sotme është një vend në zhvillim dhe i suksesshëm me ekonomi të qëndrueshme që pati rritje të PBB-së afër 4% dhe Investimeve të Huaja të Drejtpërdrejta mbi 3.7 miliardë euro në 2019. Politika jonë e jashtme është e suksesshme dhe ne arritëm të ruajmë dhe afirmojmë interesat tona kombëtare dhe shtetërore”.

“Anëtarësimi në BE mbetet përparësia jonë kryesore e politikës së jashtme, por vëmendje e veçantë i kushtohet forcimit të marrëdhënieve me fqinjët tanë për të krijuar bashkëpunimin më të mirë të mundshëm i cili është gjithashtu i mirë për të gjithë rajonin dhe stabilitetin e tij”, – tha Zariç.

Ambasadori serb u shpreh se “dua të nënvizoj se është bërë përparim domethënës në atë drejtim falë iniciativës “Shengen i vogël” i bazuar në katër liritë themelore të BE-së – lëvizjen e mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit. Në kuadrin e kësaj nisme Presidenti i Serbisë dhe Kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë u takuan tre herë në tremujorin e fundit të vitit 2019. Ne po mendojmë se pa bashkëpunim midis vendeve të rajonit, shtetet individuale nuk mund të mbijetojnë”.

“Sa i përket marrëdhënieve midis Republikës së Serbisë dhe Republikës së Shqipërisë, mund të them me kënaqësi të veçantë që është bërë përparim edhe gjatë vitit të kaluar. Marrëdhëniet ekonomike janë në rritje të vazhdueshme dhe tregtia totale ishte 183.7 mln euro dhe regjistroi një rritje prej 2.1% krahasuar me vitin 2018 dhe më shumë se 1000 biznese nga Serbia bashkëpunuan me partnerë shqiptarë”, – nënvizoi Zariç.

Ambasadori serb u shpreh se “tërmeti i tmerrshëm që goditi Shqipërinë në 26 nëntor na dha mundësinë për të rikonfirmuar solidaritetin si një komponent shumë të rëndësishëm në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe kombeve tona. Ekipi ynë i shpëtimit mbërriti në Shqipëri në më pak se 24 orë dhe Dhoma e Tregtisë Serbe dhe një numër i kompanive tona dërguan ndihmë humanitare”.

Zariç shprehu optimizmin se marrëdhëniet midis Serbisë dhe Shqipërisë do të vazhdojnë të përmirësohen sepse theksoi ai “ne kemi jo vetëm shumë probleme të ngjashme, por edhe shumë qëllime të përbashkët”.

 

Fraksion.com