AktualitetTë fundit

OFL i kërkon që të provojë pasurinë, mikut të Shullazit dhe një tjetër ‘të forti’

Operacioni Forca e Ligjit i dërgon kërkesën për të dorëzuar  me vetëdeklarim pasuritë e tyre dy personave të tjerë, të dënuar nga gjykata, njëri për trafik droge, tjetri për kanosje.

Ata janë Pajtim Serjani i dënuar për gjobëvënie me tre vite si dhe Orges Jahelezit, i dënuar për trafik droge, si pjesë e grupit të Shijakut.

Serjani dhe Jahelezi do të duhet të dorëzojnë brenda 48 orëve pranë OFL-së auto-deklaratën me pasuritë e tyre.

Pajtim Serjani të cilit OFL i kërkoi sot të justifikojë pasurinë, është një emër i njohur për policinë e Tiranës, pasi është arrestuar dhe dënuar për gjobëvënie me tre vite, ndërsa aktualisht është i lirë, pasi e ka përfunduar dënimin. Serjani u dënua për gjobëvënie ndaj biznesmenit të kafes, Julian Bregu në vitin 2014. Në vitin 2015 Serjanit i është bërë atentat të Rruga e Kavajës, ndërsa lidhur me këtë ngjarje asokohe u arrestuan Aurel dhe Amarildo Hoxhallari.

Serjani lëvizte në Tiranë me makina të blinduara ndërkohë që njihet si miku i Emiljano Shullazit. Në shtator 2017 policia i sekestroi Serjanit katër makina të blinduara më vlerë 1 milion euro. Tre prej makinave rezultuan të trafikuara nga vendet e BE, njëra prej të cilave me targa të falsifikuara.

Orges Jahelezi të cilit OFL i kërkoi sot të justifikojë pasurinë, njihet si anëtar i grupit të Shijakut i cili u arrestua pas zbulimit të laboratorit të drogës në Has. Grupi kriminal trafikonte kokainën në Gjermani dhe disa vende të Europës. Grupi i Shijakut drejtohej nga Astrit Avdyli, ndërsa në pranga asokohe u vunë edhe vëllezërit e tij dhe disa anëtarë të bandës. Gjatë operacionit u godit laboratori i heroinës në fshatin Brenog të Hasit dhe si dhe u sekuestruan pajisjet që shërbenin për përpunimin dhe presimin për ta trafikuar më pas në vendet e BE-së. Një pjesë e lëndës narkotike ishte paketuar gati për trafik. Ai është hetuar nga dosja 339.

Njoftimi i zëdhënëses së OFL-së

Operacioni Forca e Ligjit vijon me intensitet punën për përmbushjen e detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ nr. 1 të datës 31.01.2020., për dërgimin e kërkesave për vetëdeklarim të pasurisë, si dhe për sekuestrimin e pasurisë në kushtet e emergjencës.

Në këtë kuadër, OFL u ka dërguar kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë shtetasve:

– O. J., banues në Tiranë, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, për veprën penale “Trafikim i narkotikëve, në bashkëpunim”;

– P. S., banues në Tiranë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”;

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së.

Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

Po në përmbushje të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ, OFL vijon veprimet e pandërprera, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtoritë Vendore të Policisë në qarqe, duke kryer veprimeve komplekse, për të evidentuar dhe dërguar në SPAK të gjithë personat që janë subjekt i Ligjit Special.

Për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë, OFL do të informojë publikun në vijimësi.

 

Fraksion.com