AktualitetTë fundit

Betimi i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese; Blushi: Ligji u miratua në errësirë të plotë

Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi, reagoi sot ndaj miratimit në Kuvend të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” të ndryshuar”.

Qëllimi i projektligjit është ofrimi i një mekanizmi efektiv, për të mospenguar në të ardhmen punën e Gjykatës Kushtetuese, duke siguruar që betimi përpara Presidentit të Republikës të bëhet brenda një kohe të mjaftueshme, pa cenuar fillimin e ushtrimit të detyrës nga ana e gjyqtarit Kushtetues. Ky projektligj u miratua në tërësi me 86 vota pro, 13 kundër dhe 7 abstenim.

Blushi në përgjigje të interesimit të medias theksoi se: “së pari dua të shpreh çudinë e madhe që ky ligj miratohet në errësirë të plotë, vetëm pak orë para fillimit të takimeve të Komisionit të Venecias në Tiranë, të thirrur nga vetë Kuvendi, që tregon një mungesë serioziteti të plotë, panik për ngut dhe fakt të kryer. Pra kap çfarë të kapësh”.

Së dyti, tha Blushi, “për ne tashmë çudi përbën vetëm fakti kur ndonjëherë Kuvendi kalon ndonjë ligj që respekton Kushtetutën, pasi dhunimi sistematik i saj është kthyer në rregull”.

“Por sot paradite jemi të fokusuar te takimi me përfaqësuesit e Komisionit të Venecias. Ndërsa pasdite ju premtoj se Presidenti do të kuvendojë me ju direkt nga Presidenca, dhe me të gjithë shqiptarët, për qëllimin e vërtetë të ligjit për kryeKÇK-në”, tha Blushi.

 

Fraksion.com