AktualitetBota+Të fundit

SHBA, kufizime të reja për studentët ndërkombëtarë?

Udhëzimi, i raportuar për herë të parë nga revista Forbes, do të kufizojë qëndrimin e studentëve ndërkombëtarë në Shtetete e Bashkuara.

Cili është rregulli i ri saktësisht dhe kush do të ndikohet nga ai?

Udhëzimi i ri përcakton një “periudhë maksimale të qëndrimit të autorizuar” për studentët dhe kërkon që studentët të fitojnë leje të reja sa herë që ka një tranzicion në planet e tyre. Nëse karriera akademike e një studenti zgjat më shumë sesa pritej, ata gjithashtu do të kalojnë në të njëjtin proces si ata që kalojnë nga programet universitare në ato pasuniversitare.

Rregulli pritet të ndikojë në vizat e studentëve F1, F2, M1 dhe M2 me një datë publikimi që synohet të jetë muaji shkurt i vitit 2020.

Cili është arsyetimi i qeverisë për rregullin e propozuar?

Një zëdhënës i Departamentit të Sigurisë Kombëtare i tha Zërit të Amerikës që t’i referohen rregullores ku thuhet : “Ky rregull ka për qëllim të zvogëlojë incidentet e qëndrimit në vend të studentëve me status jo-emigrantë pas skadimit të vizës dhe të përmirësojë integritetin e vizës së studentëve jo-imigrantë.”

Nga vijnë studentët ndërkombëtarë?

Kina dhe India dërgojnë gati gjysmën e të gjithë studentëve ndërkombëtarë që vijnë në Shtetet e Bashkuara çdo vit. Kina dërgon 363.341, ndërsa India 196.271 studentë në vit në Shtetet e Bashkaura.

Cili është ndryshimi midis vizave F1 dhe M1?

Të dyja vizat janë për studentët. Por, viza F1 është për ata që ndjekin një program akademik ose kërkojnë një diplomë me orar të plotë në një institucion të aprovuar nga Zyra amerikane e Imigracionit në përputhje me Sistemin e Informacionit për Studentët dhe Shkëmbimin e Vizitorëve (SEVIS). Personat e pajisur me viza F2 janë vartës të atyre të pajisur me viza F1.

Viza M1 është për ata që janë regjistruar në studime profesionale, siç janë programet gjuhësore, shkollat e kozmetologjisë dhe studimet mekanike, ndër të tjera. Sipas USCIS, viza M1 dhe viza M2 për vartësit e personave të pajisur me viza M1, është e vlefshme vetëm për një vit, por studentët mund të aplikojnë për zgjatje deri në tre vjet.

A do të duhet që studentët të kthehen në vendin e tyre dhe të fillojnë përsëri procesin e vizave, nëse duan të kthehen në Shtetet e Bashkuara?

Sipas zëdhënësit të Departamentit të Sigurisë Kombëtare, “në këtë pikë, ne nuk e dimë se çfarë do të përfshijë rregulli përfundimtar.”

Cila është rregullorja aktuale?

Aktualisht, studentët jo-emigrantë mund të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara gjatë gjithë kohëzgjatjes së statusit. Kjo do të thotë për sa kohë që ata janë regjistruar në një program studimi dhe mbajnë statusin e tyre jo-imigrant, ata mund të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara.

Sa njerëz posedojnë viza studentore në Shtetet e Bashkuara?

Megjithëse Departamenti i Sigurisë Kombëtare nuk ka publikuar shifrat për vitin 2019 dhe 2020, VOA Student U (një program që ofron lajme për studentët në mbarë botën) raportoi që më shumë studentë ndërkombëtarë vijnë në Shtetet e Bashkuara nga e gjithë bota për arsim të lartë se për çdo qëllim tjetër. Sidoqoftë, ky është viti i dytë radhazi pas dekadave të rritjes, që ka patur një stanjacion dhe rënie të ardhjes së studentëve nga disa vende.

Raporti vjetor Dyert e Hapura, i përpiluar nga Instituti për Arsim Ndërkombëtar dhe Departamenti i Shtetit i publikuar në nëntor të vitit 2019, për vitin shkollor 2018-2019 tregon se 1,095,299 studentë ndërkombëtarë nga gjithsej 19.828,000 studentë ishin të regjistruar në institucionet e arsimit të lartë në Shtetet e Bashkuara.

Kjo do të thotë se studentët ndërkombëtarë përbëjnë 5.5% të të gjithë studentëve të kolegjeve dhe universiteteve në Shtetet e Bashkuara. Shifrat treguan një rritje të vogël në regjistrimin e përgjithshëm ndërkombëtar, me 0.05% krahasuar me vitin paraprak, por një rënie në regjistrimin e studentëve të rinj ndërkombëtarë, me -0.9%.

A parashikohet të ketë rritje të kostos?

Rregulli tregon se Zyra e Imigracionit është “në procesin e vlerësimit të kostove dhe përfitimeve që do të pësohen nga njësitë dhe individët e rregulluar, si dhe kostot dhe përfitimet për publikun në përgjithësi.”

Por, artikulli i revistës Forbes ishte skeptik në lidhje me mënyrën se si qeveria amerikane do të merrej me më shumë aplikime nga ata që tashmë kanë vizë. Sipas hulumtimeve nga Shoqata Amerikane e Avokatëve të Emigracionit (AILA), Zyra amerikane e Imigracionit “po shqyrton çështjet (e imigracionit) me një ritëm të papranueshëm dhe gjithnjë e më të ngadaltë”./VOA

 

Fraksion.com