Punësimi i të huajve; Lleshaj: Standarde normale në botën ku ne tentojmë të anëtarësohemi
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj duke folur për projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 108/2013, “Për të huajt”, të ndryshuar”, tha se ky debat në Francë dhe Europë është bërë vite më parë dhe i kanë adoptuar këto standarde, ndërkohë që ne po tentojmë t’i fusim dhe nuk bëjmë asgjë tjetër veçse standarde që janë të rëndomta në botën normale ku ne tentojmë të anëtarësohemi.
“Ky është një projekt për ta zhvilluar Shqipërinë dhe jo për ta shpopulluar atë. E gjithë përpjekja është për të lehtësuar turistët që vijnë në Shqipëri, sepse turizmi është në degët e rëndësishme të ekonomisë shqiptare. E dyta, është përpjekje për të plotësuar ato boshllëqe, ato vakanca që ka tregu i punës. Projekti është konsultuar me shumë aktorë dhe të gjithë aktorët e mundshëm të shoqërisë civile, biznesin, politikën dhe është produkt i këtij konsultimi nevoja për të hapur mundësi dhe lehtësuar procedura”, tha ai.
Po ashtu, Lleshaj tha se “projekti synon që ato vende pune të zëvendësohen. Në qoftë se në industrinë minerale, ndërtim, bujqësi dhe sektorë të tjerë ndeshen rëndom herë-herë dhe boshllëqe për punësim atëherë është më se legjitim dhe në interes të shqiptarëve që këto vende të zihen nga dikush tjetër që do ta bëjë atë punë”.
“Ligji parashikon hapësirë për të punësuar të huaj në raste të nevojave të mëdha pas një emergjence të caktuar”, tha ai.
Fraksion.com