AktualitetTë fundit

“OFL, 48 orë të justifikojnë pasurinë”: Kush janë Dritan Dajti dhe Xhevdet Troplini

Operacioni i  Forca e Ligjit ka goditur sërish në Tiranë dhe Durrës. Dritan Dajti në Tiranë dhe Xhevdet Troplini në Durrës janë vendosur në shendjestrën e OFL-së, ku ditën e sotme u është dërguar formulari për të justifikuar dhe deklaruar burimin e të ardhurave të tyre.

Kush është Dritan Dajti

Dritan Dajti, me banim në Tiranë i dënuar për vrasje dhe disa vepra të tjera penale i është dërguar formulari për deklarim të pasurisë së tij. Ai ka qenë një nga personat më të kërkuar në Shqipëri dhe fillimisht u dënua me 20 vite heqje lirie nga Gjykata e Tiranës për vrasjen e biznesmenit Agim Beqa në 1999.

Më pas ai mori famë për arratisjen nga Gjykata e Tiranës më 17 nëntor 2003 pak para se të fillonte seanca. Me një pistoletë ai kërcënoi trupën gjykuese dhe Policinë dhe u largua me motor me pranga në duar.

Prej 6 vitesh ai ishte në arrati dhe në 2009 gjatë një operacioni policor ai vret efektivët e të Forcave Operacionale Saimir Duçkollari, Kastriot Feskaj, Altin Dizdari dhe Fatos Xhani, ndërkohë ngeli dhe vetë i plagosur. Po ashtu mbeti i vrarë edhe një efektiv tjetër i Policisë Ledion Mara.

Kalvari i seancave gjyqësore për Dritan Dajtin vijoi prej disa vitesh me 278 seanca pasi avokatët refuzonin ta përfaqësonin por ai vetëm një vit më parë i shpëtoi 4 dënimeve të përjetshme.

Në 2014 Gjykata e dënoi Dritan Dajtin me 4 burgime të përjetshme por ai e apeloi vendimin.

Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda pranoi kërkesën e Dajtit për gjykim të shkurtuar që ja ul dënimin në 25 vite burg. Mazhoranca e cilësoi këtë vendim një skandal ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri rekurs për vendimin në Gjykatën e Lartë.

Po Xhevdet Troplini?

Po ashtu edhe Xhevdet Troplini, me banim në Durrës i dënuar për trafik të lëndëve narkotike duhet të deklarojë pasurinë brenda 48 orësh. Ai u arrestua në Durrës për trafikimin e 11 kg heroinë nga Italia në Shqipëri.

Atij i janë sekuestruar njëhere pasuritë ndër të cilat disa objekte të ish- ndërmarrjes së Rritjes dhe Zënies së Peshkut në Durrës me sipërfaqe 9.9000 m2, vlera monetare të gjetura në banesën e tij 23 milion e 726 mijë e 600 lekë, 20 mijë e 505 euro dhe 203 dollarë amerikanë.

Në banesën e tij u gjetën gjithashtu automjete luksoze të përfituara nga të ardhurat e aktivitetit kriminal trafikut të drogës.

Ky person del në listën e biznesmenëve të gjobitur në Durrës nga një eksponent shumë i njohur kriminal në Shqipëri si Emiljano Shullazi. Por emri i tij është lakuar për dy atentate, atë të 2017 ku në Mbikalimin e Sukthit mbetën të vrarë Juxhin Dauti dhe Ervin Dalipaj, si dhe atentatit ndaj kunatit të Lulzim Berishës, Plarent Dervishajt në 2019.

Nërkohë Troplini edhe dje ka qenë në rrjetën e OFL pasi iu sekuestrua një automjet i blinduar tip ‘Jeep’ por më pas i është rikthyer pasi e kishte me dokumentacion të rregullt.

 

Fraksion.com