AktualitetNATO/BETë fundit

Jens Stoltenberg: NATO është në Irak me ftesën e qeverisë së Irakut

Ministrat e mbrojtjes bien dakord të përmirësojnë misionin e trajnimit të NATO-s në Irak

 Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg njoftoi të mërkurën (12 Shkurt 2020) se ministrat aleatë kishin ripohuar mbështetjen e tyre për Irakun dhe ranë dakord në parim për të përmirësuar misionin e trajnimit të NATO-s. Në radhë të parë, kjo do të konsistojë në marrjen në veprim të disa trajnimeve aktuale të Koalicionit Global. Ministrat gjithashtu ranë dakord të hulumtojnë se çfarë mund të bëhet më shumë, përtej këtij hapi të parë.

“Sot, Ministrat e Mbrojtjes adresuan situatën në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut më të gjerë dhe çfarë mund të bëjë më shumë NATO për të kontribuar në stabilitetin dhe sigurinë. Konflikti dhe trazirat në rajonin tonë jugor kanë shkaktuar vuajtje të pashprehura dhe ato paraqesin sfida për ne, në drejtim të krizës së refugjatëve dhe migrantëve dhe gjithashtu duke nxitur kërcënimin e terrorizmit.”, tha në konferencën  për shtyp Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas takimit të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s, të ditës të pare.

“Kjo është arsyeja pse NATO dhe Aleatët e NATO-s kanë qenë të angazhuar në rajon për shumë vite. Duke punuar së bashku me partnerët tanë nga rajoni, ne kemi bërë përparim të jashtëzakonshëm në Koalicionin Global për të mposhtur ISIS-in, çlirimin e të gjithë territorit dhe të miliona njerëzve që ky grup brutal terrorist kontrollonte dikur”, tha Stoltenberg.

“Sot ministrat aleatë riafirmuan mbështetjen tonë për Irakun dhe ranë dakord në parim për të përmirësuar misionin e trajnimit të NATO-s. Në radhë të parë, kjo do të konsistojë në marrjen në veprim të disa trajnimeve aktuale të Koalicionit Global. Ministrat gjithashtu ranë dakord të hulumtojnë se çfarë mund të bëjmë më shumë, përtej këtij hapi të parë.

Më lejoni të jem i qartë:

NATO është në Irak me ftesën e qeverisë së Irakut. Dhe ne do të qëndrojmë në Irak vetëm për sa kohë që jemi të mirëpritur. Sepse NATO respekton plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Irakut. Çdo gjë që bëjmë do të jetë në konsultim dhe koordinim të ngushtë me qeverinë e Irakut. Unë mbetem në kontakte të ngushta me udhëheqjen e Irakut. Dhe ne kemi diskutime konstruktive për rrugën përpara për misionin e NATO-s në Irak. Qëllimi ynë është të rrisim kapacitetin e forcave të armatosura irakiane në mënyrë që ata të mos kërkojnë më mbështetjen tonë. Së bashku ne jemi të përkushtuar të luftojmë terrorizmin dhe të sigurohemi që ISIS të mos kthehet.

Gjatë viteve të kaluara, populli irakian dhe forcat irakiane kanë demonstruar guxim dhe përkushtim të madh në luftën kundër terrorizmit. Ne i lavdërojmë për sakrificat e tyre.

Ministrat diskutuan gjithashtu situatën në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut më të gjerë. Dhe ata vendosën të hulumtojnë më tej se çfarë mund të bëjë më shumë NATO, për të luftuar terrorizmin, për të ndërtuar një stabilitet dhe për të forcuar partneritetet tona në të gjithë rajonin”, tha Sekretari  i Përgjithshëm i NATO-s.

“Ne iu drejtuam edhe Afganistanit. Ndërsa vazhdojmë të këshillohemi ngushtë për rrugën përpara. NATO mbështet plotësisht përpjekjet e paqes të udhëhequra nga SH.B.A., të cilat mund t’i hapin rrugën bisedimeve brenda afgane. Por talebanët duhet të dëshmojnë se ata janë të gatshëm dhe të aftë për të ofruar një ulje të dhunës dhe te kontribuojnë për paqen në mirëbesim. Qëllimi i misionit tonë të Mbështetjes Vendimtar është forcimi i forcave afgane të sigurisë, në mënyrë që ato të luftojnë terrorizmin dhe të krijojnë kushtet për paqe. Ne do ta vazhdojmë diskutimin tonë nesër me të gjithë partnerët tanë kontribues.

Sonte, ne do të diskutojmë bashkëpunimin tonë me Bashkimin Evropian. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së / Zëvendës Presidenti Josep Borrell do të bashkohet me ne për herë të parë, së bashku me partnerët tanë Finlanda dhe Suedia. NATO dhe Bashkimi Evropian janë dy anë të së njëjtës monedhë. Pra, ne do të konsiderojmë se çfarë mund të bëjmë më shumë së bashku për të thelluar partneritetin tonë unik dhe forcimin e sigurisë sonë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s në përfundim të deklaratës së tij.

 

Fraksion.com