AktualitetPolitikëTë fundit

DW: Çavuşoğlu i kërkon Shqipërisë të dorëzojë gylenistët

Ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu, në takimin me Ministrin e Jashtëm në detyrë të Shqipërisë, Cakaj, ai i paraqiti gylenistët si rrezik për sigurinë kombëtare të Shqipërisë.

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, që zhvilloi sot ( 12.02.2020) një vizitë zyrtare në Tiranë u ka kërkuar autoriteteve të Shqipërisë “t’i dorëzojnë Ankarasë të gjithë gylenistët që jetojnë në Shqipëri”.

Fjala është për anëtarët e lëvizjes së klerikut turk Fetullah Gülen, të njohur me inicialet FETO, të klasifikuar nga qeveria turke, pas grushtit të dështuar të shtetit në  2016, si “organizatë terroriste” dhe kundërshtare e betuar e Presidentit turk Erdoğan. Sipas autoriteteve turke, anëtarët e kësaj lëvizjeje ushtrojnë veprimtarinë e tyre edhe në Shqipëri.

“Ka me qindra anëtarë të FETO-s në Shqipëri edhe pse nuk ka shifra të sakta. Kemi kërkuar rikthimin e tyre në Turqi. Shqipëria ka hedhur disa hapa në këtë drejtim, presim të vazhdojë. Nuk duam që Shqipëria të jetë një portë sigurie për FETO-n. Prania e anëtarëve të FETO-s vë në rrezik sigurinë kombëtare të Shqipërisë,” tha Mevlüt Çavuşoğlu në konferencën e përbashkët për shtyp në Tiranë me Ministrin  në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.

Shqipëria deportoi në Turqi në 1 janar të këtij viti, gylenistin Harun Çelik, pas 8 muajve burg në Shqipëri me akuzën e falsifikimit të pasaportës.

Nënshkruhen tri marrveshje bashkëpunimi Turqi- Shqipëri

Kërkesa për kthimin në Turqi të gylenistëve, që sipas Ministrit të Jashtëm,Çavuşoğlu, vazhdojnë të jetojnë në Shqipëri është bërë prej tij edhe në kuadër të forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve.Çavuşoğlu tha se “Turqia është investuesja më e madhe në Shqipëri” dhe se shume firma turke ”kanë bërë investime të rëndësishme në Shqipëri”.

“Kemi nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit për shkëmbim të diplomatëve dhe përvojave. Së dyti deklaratën e përbashkët për angazhim në luftën kundër terrorizmit dhe së treti njohjen e ndërsjellë të patentave”, tha në konferencën e përbashkët për shtyp, Ministri në detyrë, Cakaj.

Ai vlerësoi “mbështetjen e Turqisë në organizatat ndërkombëtare për Kosovën ” dhe e cilësoi Turqinë ” një nga kontribueset kryesore në KFOR, për më shumë se 20 vite” dhe veçoi “barrën e Turqisë në mbajtjen e refugjatëve sirianë”.

Çavuşoğlu bëri të ditur se Presidenti Erdoğan do të vizitojë këtë vit Tiranën, por nuk dha hollësi për datën e vizitës.

 

Fraksion.com