AktualitetPolitikëTë fundit

“Anti-KÇK”; Rama: Sot i vjen fundi pafuqisë ligjore, ILD me fuqi të re

Kryeministri Edi Rama deklaroi se “sot i vjen fundi pafuqisë ligjore për të reaguar në mënyrë urgjente ndaj të gjithë atyre që do vazhdojnë të përdorin çekiçin e drejtësisë nën togën e gjykatësit për të ndërmarrë akte kriminale ndaj vetë ligjit, ndaj drejtësisë dhe ndaj shoqërisë”.

Kuvendi shqyrton sot projektvendimin “Për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 34/2019 “Për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara”.

Në fjalën e tij në Kuvend, Kryeministri Rama tha se “sot ne i japim një fuqi të re Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë duke i dhënë mundësi të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të reagojë në mënyrë të menjëhershme ndaj vendimeve haptazi korruptive dhe kriminale të gjykatësve duke u kërkuar brenda tri ditësh pezullimin e tyre”.

“Sot ne i japim dorën qeverisë së re të sistemit tonë gjyqësor, Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë instrumentin e pezullimit të menjëhershëm, duke i hapur rrugë fillimit të menjëhershëm të hetimeve për gjykatësit në fjalë, që do të thotë që këta që mendojnë se duke pritur në radhë deri kur t’iu vijë vetingu ‘Do kapin çfarë të kapin’, do t’iu bëhet më keq se vetingu deri në momentin kur “Të kapësh çfarë të kapësh” do të materializohet me një vendim, që do të thotë menjëherë verifikim i figurës, menjëherë verifikim i pasurisë”, – nënvizoi Rama.

Duke nënvizuar rëndësinë e jashtëzakonshme që ka një prej vendimeve që ky parlament do të marr sot që lidhet me paketën anti KÇK dhe konkretisht me vetë KÇK-në, me organizatën kriminale që funksionon brenda organizimit të vetë sistemit tonë të drejtësisë, Rama tha se “është fakt që në këtë fazë kur reforma në drejtësi po vazhdon të zbatohet dhe Vetingu po pastron llumin nga pallati i drejtësisë një pjesë jo e vogël e llumit e gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar që s’kanë asnjë shans ta kalojnë Vetingun dhe e dinë vetë edhe këtë gjë kanë hyrë në fazën e fundit të karrierës së tyre të shkurtuar nga reforma në drejtësi të cilës po i vjen fundi me një përshpejtim marramendës të aktivitetit të tyre kriminal”.

Kreu i qeverisë u shpreh se “është fakt që opinioni publik duhet të përballet në mënyrë të vijueshme me “aksidente” të përplasjes mes ligjit që thyhet përballë makinerisë së krimit dhe korrupsionit në sistemin e drejtësisë që nxjerr vendime që realisht dëshpërojnë dhe synojnë gjunjëzimin e opinionit publik, vendime të tmerrshme qe nga ato të cilat janë bërë publike dhe të tjera që nuk janë publike, që nga lirimi i të dënuarve me burgim të përjetshëm për vrasje në mënyrën më spektakolare të shkeljes së ligjit nga vetë gjykatësit, deri tek tjetërsimet spektakolare të pronave me interes të madh kombëtar dhe publik në zonën e bregdetit”.

“Për këtë arsye kemi vendosur të ndërmarrim një ofensivë shembullore si asnjëherë më parë në të dyja anët e medaljes, që është pasqyrë e fuqisë financiare të krimit të organizuar dhe në anën e medaljes, që është pasqyrë e krimit në sistemin e drejtësisë për mbrojtjen në bashkëpunim të krimit të organizuar”, – tha Rama.

 

Fraksion.com