AktualitetTë fundit

U kap me pistoleteë te selia e PS; Nis hetimi pasuror ndaj Vladimir Gjutës

Policia e Tiranës  njofton zyrtarisht lidhur me arrestimin e Vladimir Gjutës, gjatë së hënës, pranë godinës së Partisë Socialiste, ku u kap me një pistoletë me vete dhe me një shumë të madhe parash.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, bën me dije se në bashkëpunim me Prokurorinë, nisi hetimin pasuror ndaj tij.

Policia thotë se në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një armë zjarri pistoletë, municion luftarak, shuma të mëdha parash dhe një automjet i blinduar që e kishte në përdorim 40-vjeçari Vladimir Gjuta.

Policia thotë se “shërbimet e Komisariatit të Policisë Numër 3, në rrugën “Çamëria”, rreth orës 08:45, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të Gjutës, banues në Tiranë, i cili rezulton i dënuar më parë.

Në momentin e kapjes nga Patrullat e Përgjithshme Gjutës iu gjetën me vete një pistoletë me municon luftarak, një dorezë grushti metalike, si dhe një sasi e madhe parash në valutë dhe lekë shqiptare.

Shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me Sektorin për Krimin Ekonomik e Financiar dhe atë të Krimeve ndaj Jetës dhe Personit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, kanë ushtruar kontroll në banesën e këtij shtetasi, ku kanë gjetur dhe sekuestruar edhe shuma të tjera parash.

Në total iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

121.100 euro, 27.500 dollarë amerikanë, 22.970 paund anglez dhe 664.500 lekë të reja.

Po gjatë kontrollit të banesës së shtetasit V. Gj, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan edhe një mjet të blinduar  autoveturë Audi A8, me të cilën qarkullonte ky shtetas. Në vijim të veprimeve, nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka nisur hetimi pasuror për shtetasin V. Gj.

Në përfundim të veprimeve, materialet iu referuan prokurorisë, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

 

Fraksion.com