Takimi Rama-Kurti; Rama: Shpejtësi e re bashkëpunimi në të gjitha fushat (Video)
Shqipëria dhe Kosova do të mbajnë në fund të muajit mars mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive në qytetin e Shkodrës. Mbledhja e fundit mes dy qeverive u mbajt në Pejë.
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria mbështet Kosovën në të gjithë betejën për të çuar përpara procesin e njohjes dhe afirmimit të plotë përfundimtar si një shtet sovran e demokratik në të gjitha instancat dhe në raport me të gjitha shtetet dhe institucionet.
Në konferencën e përbashkët për shtyp në Tiranë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Rama tha se kanë rënë dakord të zhvillojnë në fund të muajit mars mbledhjen e përbashkët të dy qeverive.
“Kemi patur me kryeministrin e Kosovës një komunikim të hapur, të rëndësishëm, intensiv për ku jemi dhe ku duam ti çojmë marrëdhëniet tona, duke synuar një shpejtësi të re në drejtim të bashkëpunimit në të gjitha fushat dhe duke gjetur një angazhim të plotë e gatishmëri të plotë reciprokisht të fillimit menjëherë të përgatitjeve për mbledhjen e dy qeverive”, deklaroi Rama,
Një vakuum mes dy mbledhjeve, vijoi Kryeministri Rama na imponon të bëjmë një mbledhje sa më produktive dhe në të gjitha hapësiratt mes dy mbledhjeve do të ngrihet një komision ndërshtetëror me ministra dhe përfaqësues të komisioneve parlamentare për të ndjekur ecurinë e vendimeve dhe marrëveshjeve të dala prej mbledhjeve.
Rama vuri theksin në krijimin e një hapësire të përbashkët që garanton lëvizjen e lire të njerëzve dhe mallrave.
“Për mua nëse nuk realizojmë lëvizjen e plotë e të lirë të njerëzve në radhë të parë dhe pastaj lëvizjen e e plotë të mallrave, kapitaleve e shërbimeve nuk e kemi kryer detyrën tonë ndaj të ardhmes dhe njerëzve tanë. Të jemi të gatshëm e të qartë në çdo hap për të hequr kufirin mes dy shteteve dhe për ta bërë faktikisht hapësirën e përveçme të secilit shtet një hapësirë të përbashkët ndërveprimi, bashkëpunimi dhe zhvillimi”, deklaroi Rama.
Fraksion.com