AktualitetBota+Të fundit

Gjermania vendos për Huawei-n

Gjermania është duke marrë vendimin nëse dhe deri në çfarë mase të lejojë Huawei-n, gjigandin e teknologjisë kineze, të hyjë në infrastrukturën e tij të telekomunikacionit të gjeneratës së ardhshme. Zëri i Amerikës mësoi se vendimi mund të merret brenda ditës së martë.

Vendimi “është shumë pranë”, thotë Emily Haber, ambasadorja gjermane në Shtetet e Bashkuara, në përgjigje të një pyetjeje të bërë nga Zëri i Amerikës pasditen e së hënës në lidhje me qëndrimin e qeverisë gjermane për Huawei-n.

Ambasadorja e Gjermanisë në SHBA, Emily Haber
Ambasadorja e Gjermanisë në SHBA, Emily Haber

“Për marrjen e vendimit do të luajë rol edhe aspekti i besueshmërisë së palës që bën ofertën”, shtoi zonja Haber.

Zëri i Amerikës ka mësuar nga burime diplomatike se vendimi mund të merret që të martën, 11 shkurt, kur ligjvënësit gjermanë të mblidhen në Berlin.

Jacob F. Kirkegaard, i Institutit Peterson me bazë në Uashington për Ekonominë Ndërkombëtare, mendon se Gjermania mund të ndjekë shembullin e Britanisë dhe të arrijë një zgjidhje kompromisi “mes sugjerimit të zonjës Merkel për vendosjen e vetëm pak kufizimeve, dhe linjës më të fortë për rregulla shtrënguese, të mbështetur nga një grup deputetësh të udhëhequr nga Norbert Roettgen”, i tha zoti Kirkegaard Zërit të Amerikës.

Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel duket se dëshiron të bashkëpunojë me Pekinin në mënyrë që të sigurojë interesat e biznesit gjerman në Kinë, ndërsa Roettgen, gjithashtu një anëtar i Bashkimit qeverisës Demokratik Kristian (CDU) dhe kryetar i Komitetit me ndikim të Çështjeve të Jashtme në Bundestag, nuk e ka mbajtur të fshehtë mosbesimin e tij ndaj Huawei-t.

Roettgen risolli në vëmendje mesazhin e tij në Twitter të 23 nëntorit, pas një votimi të CDU-së, ku ai e quajti votën unanime një fitore të madhe dhe një deklaratë të qartë për qëndrimin e CDU-së për këtë çështje.

Pozicioni i CDU “kundër ndikimit të huaj në infrastrukturën kritike gjermane” si dhe vendosmëria e saj për të gjetur një zgjidhje evropiane janë “të qarta”, tha ai në Twitter, “në vazhdim vjen debati parlamentar” i cili mund të zhvillohet të martën në Berlin, thonë burimet për Zërit të Amerikës.

Sipas mendimit të Kirkegaard, Gjermania gjithashtu mund të vendosë një tavan për pjesën e tregut ku do të lejohet Huawei dhe mund të përpiqet ta pengojë kompaninë të furnizojë pjesët thelbësore të rrjetit. Një masë të tillë e njoftoi rishtazi Britania, megjithë kundërshtimin e fortë të Uashingtonit.

Sidoqoftë, ai thekson se duke patur parasysh veçorinë e teknologjisë kryesisht “cloud” (të depozitimit të të dhënave në paisje të largëta qendrore) të mbështetur në teknologjinë 5G, mbetet “teknikisht e paqartë” se si do të përcaktohet qartë dallimi mes pjesëve thelbësore dhe atyre periferike.

Nëse parlamenti gjerman do të votonte për ta përjashtuar Huawei-n nga infrastruktura e telekomunikacioneve 5G të Gjermanisë, kjo do të ishte një surprizë e madhe për shumë njerëz, përfshirë zotin Kirkegaard. Nëse kjo do të ndodhte, do të ishte një “humbje e madhe për Merkel-in”, thotë ai. Ndërkohë partia e zonjës Merkel është trazuar, pasi pasardhësja e caktuar prej saj, Annegret Kramp-Karrenbauer, njoftoi të hënën dorëheqjen nga kryetare e CDU-së./VOA

 

Fraksion.com