AktualitetBota+Të fundit

Sateliti i Iranit dështon të arrijë orbitën e Tokës

Televizioni shtetëror iranian ka raportuar që kanë dështuar përpjekjet e Iranit për të nisur satelitin Zafar të këtij shteti në orbitën e Tokës.

Ahmad Hosseini, zëdhënës i programit hapësinor në Ministrinë iraniane të Mbrojtjes, i ka thënë televizionit shtetëror se sateliti nuk ka arritur në orbitën e tokës siç është planifikuar “sepse nuk ka arritur shpejtësinë e duhur”.

Ky është të paktën sateliti i tretë iranian që dështon të arrijë cakun, prej kur ka nisur Irani këtë program më 2019.

Uashingtoni pretendon se ky program është duke i ndihmuar Teheranit që të avancojë progamin e tij të raketave.

Lansimi i satelitit është bërë nga provinca Semnan e Iranit, rreth 230 kilometra në juglindje të Teheranit.

“Motorët kanë funksionuar si duhet në fillim, mirëpo në fund sateliti nuk ka arritur shpejtësinë e duhur”, ka thënë Hosseini për televizionin shtetëror.

Ai megjithatë ka synuar të portretizojë dështimin si “arritje të madhe” për programin hapësinor të Iranit.

Zyrtarët amerikanë, të cilët po praktikojnë politikën “me presion maksimal” kundër Iranit, prej kur Uashingtoni është larguar më 2018 nga marrëveshja bërthamore, kanë supozuar se programi satelitor i Teheranit është pjesë e programit për zhvillim të raketave balistike.

Irani në anën tjetër ka mohuar këto pretendime.

Më 8 shkurt, lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei ka bërë thirrje për fuqizim të mbrojtjes së Iranit, duke thënë se “në mënyrë që të parandalohet lufta dhe t’iu jepet fund kërcënimeve, njëra palë duhet të bëhet e fortë”.

Lideri suprem, që ka fjalën e fundit në çështje fetare dhe ato politike është takuar me zyrtarë të lartë të forcës ajrore iraniane më 8 shkurt për të shënuar veprimet ushtarake të shtetit gjatë revolucionit të vitit 1979 për të rrëzuar nga pushteti Shahun e përkrahur nga SHBA-ja.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka urdhëruar të paktën dy sulme ndaj liderëve të lartë ushtarakë të Iranit muajin e kaluar.

Në njërin sulm në Aeroportin Ndërkombëtar të Bagdadit është vrarë gjenerali i forcave elite iraniane Qasem Soleimani, bashkë me komandatin e lartë të milicisë irakiane që përkrahet nga Irani.

Irani më pas është përgjigjur me sulme raketore në bazat irakiane, në të cilat gjenden trupat amerikane.

Javën e kaluar, diplomati i lartë evropian, Josep Borrell është takuar me zyrtarë të lartë iranian, duke përfshirë presidentin Hassan Rohani dhe ministrin e Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif me qëllim të uljes së tensioneve për programin bërthamor të Iranit.

Borrell ka thënë në muajin janar se ai është konsultuar edhe me shtetet tjera që janë ende pjesë e marrëveshjes bërthamore, përfshirë Rusinë dhe Kinën, dhe se të gjitha janë të vendosura për ruajtjen e këtij pakti.

Udhëheqësi i agjencisë kombëtare për hapësirë në Iran, Morteza Barari ka thënë se prodhimi i satelitit Zafar “ka nisur tre vjet më parë me pjesëmarrjen e 80 shkencëtarëve”, duke shtuar se ai është dizajnuar për të mbetur funksional “për më shumë se 18 muaj”.

Ai e ka konsideruar këtë ngjarje “hap të ri për shtetin” dhe ka thënë se misioni kryesor i satelitit do të jetë mbledhja e pamjeve për të studiuar tërmetet, për të parandaluar fatkeqësitë natyrore, si dhe për zhvillim të burimeve bujqësore.

Zyrtarët iranianë po ashtu kanë thënë shpresojnë që të ndërtojnë pesë satelitë deri në mars të vitit 2021./REL

 

Fraksion.com