AktualitetPolitikëTë fundit

“PD nuk i dëshiron zgjedhjet”; Patozi: Z. Basha nuk jemi në vitin 2004!

Tryeza për reformën zgjedhore shihet me skepticizëm nga kreu i BD, Astrit Patozi, ku sipas tij nuk do të sjellë një produkt pozitiv në mbyllje të saj.

Në një intervistë për Report Tv, Patozi fajëson 2 forcat më të mëdha politike që nuk kanë dëshirë që të gjejnë një zgjidhje për krizën politike.

“Fakti që partitë kryesore janë ulur në tryezë për reformën zgjedhore është lajm i mirë, lajm i keq është që sipas të gjitha gjasave nuk do të ketë një produkt pozitiv, nuk do të prodhojë një rezultat që do të ndryshojë rendin e gjërave në Shqipëri dhe mënyrën se si shqiptarët votojnë. Ruajtja e statuskuosë që duket një qëllim i 2 partive kryesore është ogur i keq për zgjidhjen e krizës” thotë ai.

Po a do të shkojë vendi në zgjedhje të parakohshme?

Patozi thekson se një gjë e tillë nuk do të ndodhë duke fajësuar opozitën e cila nuk e dëshiron një gjë të tillë. “E rëndësishme është që Shqipëria të shkojë në zgjedhje të parakohshme, por gjasat janë zero. Nuk shoh asnjë lloj vendosmërie nga PD, që ti dëshirojë zgjedhjet. Ne do të shkojmë në vitin 2021 në zgjedhje normale dhe fatkeqësisht pa ndryshime  thelbësorë në atë që quhet reforma zgjedhore”.

Por kush është mendimi për fushatën më të fundit të kreut të PD, Lulzim Basha?

“Unë sigurisht nuk paragjykoj, në rast se një udhëheqës politik përpiqet të kuptojë atë që do populli, është më mirë se sa të udhëheqësh një revolucion që nuk ndodh asnjëherë. Problem me Z. Basha është nuk jemi në vitin 2004.  Shqipëria është një vend i vogël dhe udhëheqësat politikë janë gati zbuluar përpara publikut. Nuk mund ta gënjesh shqiptarin duke sjellë një performacnë tjetër nga ajo që ti je. Mendoj se vetëm një ballafaqim realist me qytetarët do të ishte në shërbim të një aksioni politik. Aktrimi, gjërat falso dhe akrobacitë mediatike nuk besoj se shërbejnë”.

Duke u ndalur tek zgjedhjet e ardhshme drejtuesi i i BD, theksoi se forca që ai përfaqëson do të marrë pjesë në çfarë do lloj zgjedhjesh dhe nuk i trembet garës me kundërshtarët e tjerë politikë.

 

Fraksion.com