OFL i kërkon të tregojë pasurinë; Kush është “Kumbari i Shkodrës”
OFL paraditen e sotme tha se iu ka dërguar formularët për të provuar pasurinë dy personave, të cilët rezultojnë të dënuar në Gjermani dhe Belgjikë, në kuadër të aksionit “anti-KÇK”.
Bardhok Pllanaj, njihet si një biznesmen me reputacion në qytetin verior dhe me lidhje të forta politike.
Operacioni Forca e Ligjit i ka dorëzuar kërkesën me shkrim dy personave të tjerë të dënuar më parë nga drejtësia në Gjermani dhe në Belgjikë, për të dorëzuar auto-deklaratën për pasuritë e tyre. Bardhok Pllanaj dhe Alberto Kochsiek nga Durrësi, do duhet të dorëzojnë brenda 48 orësht auto-deklaratën për të justifikuar pasuritë dhe burimin e të ardhurave. Më tej OFL i dorëzon dosjen Prokurorisë së Posaçme SPAK, e cila ka 15 ditë kohë për të kaluar në Gjykatën Speciale, për masë sekustroje ndaj pasurive që dyshohet të kenë burim të ardhurash nga krimi.
Bardhok Pllanaj është cilësuar si “Kumbari i Shkodrës”. Për të, Operacioni Forca e Ligjit, që i dërgoi për të plotësuar formularin për pasuritë e tij, tha se është i dënuar në Belgjikë për trafik të qenieve njerëzore. Por ai ka qenë edhe në gjykim në dhjetor 2018 për “pastrim parash”, ‘falsifikim dokumentesh’ dhe ‘ndërtim pa leje’. Ai ka rënë në pranga në vitin 2018, pasi dyshohej se kishte ndërtuar një pallat 10-katësh në Sjkodër me para nga burime kriminale dhe pa leje ndërtimi, objekt në vlerë rreth 2 milionë euro për të cilin ishte vendosur sekuestro preventive.
Më herët, në vitin 2014 ai është arrestuar edhe për akuzën e trafikut të drogës. Bardhok Pllanaj njihet si njeriu që trazoi politikën dhe policinë disa vite më parë pasi rezultoi se kishte lidhje me ish-deputetin Mark Frroku. “Kumbari i Shkodrës” u fsheh në makinën e Frrokut, për t’iu shmangur arrestimit nga policia pasi Frroku, deputet në atë kohë kishte imunitet. Policia e kërkonte Pllanajn për trafik droge nga Velipoja me skaf drejt Italisë.
Në operacionin “Laguna e Vilunit” më 30 shtator 2014 ku u sekuestruan rreth 804 kg, ranë në pranga disa persona, mes të cilëve edhe Pllanaj. Droga u hodh nga trafikantët në det në vendin e quajtur Rana e Hedhun në Shëngjin pasi ata panë shërbimet e policisë. Koka e trafikut u dyshua pikërishit biznesmeni Bardhok Pllanaj, por ai u la i lirë për mungesë provash.
Fraksion.com