Ligji për mediet elektronike; Hysi takon delegacionin e Komisionit të Venecias
Ligji për mediet elektronike dhe shërbimet e medias në Republikën e Shqipërisë ishte në qendër të takimit që zëvendëskryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi, zhvilloi sot me një delegacion nga Komisioni i Venecias.
Delegacioni përbëhej nga Herdis Kjerulf Thorgeirsdottir, anëtare e Komisionit të Venecias për Islandën, Michael Frendo, anëtar i Komisionit të Venecias për Maltën, si dhe ekspertë të Komisionit.
Delegacioni ndodhet në Shqipëri për të përgatitur një opinion për ligjin për mediet elektronike dhe shërbimet e medias në Republikën e Shqipërisë.
Gjatë takimit, anëtarët e delegacionit shprehën interes për të njohur qëllimet e ligjit, nevojat për miratimin e tij si dhe u diskutua mbi problematikat e hasura në praktikë.
Delegacioni nga Komisioni i Venecias po zhvillon vizitë dyditore në Tiranë dhe opinioni i tyre pritet të miratohet në Sesionin e 122-të Plenar të Komisionit të Venecias që do të mbahet më 20 – 21 mars 2020.
Fraksion.com