Ferma blegtorale me standarde të BE; Mbështetja për teknologji të avancuar, garanci për tregun
Vijon mbështetja direkte për fermerët duke u ofruar teknologji moderne, aparatura dhe mjediset e duhura për përmbushjen e kushteve optimale të garancive për tregun e brendshëm e të huaj, përmes Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural.
Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama, duke sjellë pamje nga ferma blegtorale “VJEN” në Grabjan të Lushnjës, me një sipërfaqe prej 55 mijë metrash katrorë dhe kapacitet mbi 600 krerë lopë, që numëron 40 të punësuar.
Aktualisht në fermë po punohet për një sistem teknologjik të menaxhimit të fermës që sipas Drejtores së Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR), Frida Krifca, do ta shndërrojë nga një fermë të standardeve kombëtare në fermë të standardeve të Bashkimit Europian, model për gjithë rajonin, ku ende nuk është aplikuar kjo teknologji.
“Ne kemi një kontratë me këtë subjekt për masën numër 1, investime në fermë, përmes programit IPARD që pritet të përfundojë brenda muajit maj. Sistemi i ri i mjeljes është një teknologji e importuar nga jashtë që po instalohet. Dhoma e mjeljes do të jetë një hapësirë shumë e madhe”, tha Krifca.
Kryeministri Rama shprehet se në vitin 2019 eksportet bujqësore shënuan rritjen rekord me 8,98 %, krahasuar me vitin 2018.
Fraksion.com