E martë, 3 Dhjetor, 2024
Latest:
AktualitetTë fundit

Arrestimi i Gjutës te selia e PS; Rama erdhi në seli me ‘Benz’ dhe iku me ‘Lincoln’ të blinduar

Detaje të reja zbardhjen nga ngjarja e ndodhur mëngjesin e sotëm, te selia e Partisë Socialiste, ku u kap në tentativë për t’u futur brenda selisë 40-vjeçari Vladimir Gjuta, i cili ishte i armatosur.

 

Gjuta ka pasur me vete një pistoletë të mbushur, një karikator me 22 fishekë, si dhe një shumë e madhe eurosh, paundësh dhe dollarësh amerikanë, ku dyshohet të kenë qenë mbi 100 mijë euro.

Gjuta ka bërë disa xhiro në trotuarin pranë selisë së PS, duke ngritur dyshime te punonjësit e Gardës, të vendosur në hyrje të selisë, pasi brenda sapo kishte nisur mbledhja e Kryesisë së PS e drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Në xhiron e pestë, Gjuta i është afruar më shumë hyrjes së PS, duke bërë që Garda të ndërhyjë dhe ta neutralizojë atë, si dhe të kërkojë përforcime nga policia, (forcat “Shqiponja” dhe efektivë të komisariatit numër tre)  në momentin që është parë se ishte i armatosur. Ai kishte veshur një xhup të zi, pantallona të errëta dhe një kapuç në kokë.

Oficerë të Gardës, të cilët kanë detyrë të monitorojnë perimetrin e sigurisë rreth selisë së PS-së, dhe dy të Shqiponjave kanë ndërhyrë duke ndaluar të dyshuarin, i cili rezultoi të ishte Vladimir Gjuta, i liruar nga paraburgimi disa ditë më parë. Gjuta kishte në çantë një pistoletë e cila ishte me plumb në gojë, që do të thotë gati për të qëlluar. Atij i janë gjetur me vete në një çantë me mbishkrimin Gucci edhe një vlerë e konsiderueshme parash, mbi 100 mijë euro si dhe një dorezë metalike. Pas ndalimit ai është shoqëruar në polici, nga ku mësohet të ketë deklaruar se pistoletën (me 23 fishekë) e kishte me vete për vetëmbrojtje, pasi do të këmbente një sasi të madhe parash.

A është ky një atentat i mbetur në tentativë ndaj eksponentëve të Partisë Socialiste, apo është një person i arrestuar vetëm për armëmbajtje pa leje, këto dyshime pritet t’i shuajnë hetimet e nisura.

Pas arrestimit të Gjutës, efektivët e Gardës dhe Departamenti i Sigurisë për funksionarët e lartë, kanë rritur sigurinë.

Kështu, kryeministri Edi Rama, i cili mbërriti pak para orës 09:00 në selinë e PS-së me makinën tip Benz që udhëton në kryeqytet, në përfundim të mbledhjes, rreth orës 09:30 ka dalë nën shoqërinë e kryebashkiakut të Fierit, Armando Subashi.

Por efektivët e gardës i kërkuan të kalojë tek “Lincoln”, një automjet i blinduar, të cilin kreu i qeverisë zakonisht e përdor për udhëtime të gjata jashtë Tiranës, për shkak të sigurisë më të lartë që ka.

Vladimir Gjuta u lirua nga paraburgimi disa ditë më parë, pasi u arrestua për plagosje ndaj kushëririt të tij. 40-vjeçari përfundoi në pranga më 4 janar të këtij viti, pasi kishte rrahur me çekiç duke i thyer dhëmbët kushëririt të tij. Më herët Gjykata e Tiranës dha për Gjutën vendimin për mjekim të detyruar në psikiatri. Ndërsa së fundmi ai u la në detyrim paraqitje.

Gjuta nuk është i panjohur për drejtësinë shqiptare dhe policinë. Kohë më parë, ai ka kanosur edhe ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, për të cilin dyshohet se është autori i vendosjes së lëndës plasëse në farmacinë e babait të tij, Bashkim Tahirit.

Vladimir Gjuta 1

 

Fraksion.com