Trump mbron vendimin për shkarkimin e Vindman
Presidenti Donald Trump i doli në mbrojtje të shtunën vendimit për të larguar nga Shtëpia e Bardhë, anëtarin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Kolonel Lejnant Alexander Vindman.
Zoti Vindman ishte një prej zyrtarëve që dëshmoi kundër zotit Trump gjatë hetimeve që po kryente Kongresi me qëllim shkarkimin nga detyra të presidentit.
Zoti Trump tha se ai (Alexander Vindman) nuk iu bind urdhrave duke shtuar se kishte bërë një raportim të pasaktë të asaj që presidenti vazhdon ta quajë një telefonatë “perfekte” mes tij dhe homologut ukrainas Volodymyr Zelenskiy.
Avokati i zotit Vindman, David Pressman, i hodhi poshtë komentet e presidentit për klientin e tij duke i cilësuar si “tërësisht të rreme”.
“Ata bien ndesh me informacionet e personelit dhe tërësinë e procesverbalit të dëshmive gjatë hetimeve për ngritjen e akuzave ndaj zotit Trump për të cilin është Presidenti është vetëdijshëm“, shkruante ai në një deklaratë.
“Ndërsa njeriu më i fuqishëm në botë vazhdon fushatën e tij të kanosjes, dhe shumë zyrtarë vazhdojnë të heshtin, kolonel lejnant Vindman vazhdon shërbimin e tij ndaj vendit tonë si një anëtar në detyrë dhe i dekoruar i ushtrisë sonë“, shkruante zoti Pressman.
Në një kërkesë për reagim ndaj komenteve në Twiter të zotit Trump Pentagoni përsëriti një deklaratë të së premtes se zoti Vindman dhe vëllai i tij binjak janë emëruar në një detyrë tjetër në Departamentin e Mbrotjes.
“Në respekt të privatësinë e tyre, ne nuk do të japim informacione të mëtejshme në këtë moment“, tha një zëdhënës i Pentagonit.
Shtëpia e Bardhë largoi gjithashtu nga detyra edhe vëllain binjak të Kolonel Lejnant Alexander Vindman.
Yevgeny Vindman, punonte si avokat në Këshillin e Sigurisë Kombëtare gjithashtu me gradën e kolonel lejtnatit.
Alexander Vindman dëshmoi në nëntor gjatë hetimit në Dhomën e Përfaqësuesve, proces që synonte ngritjen e akuzave kundër Presidentit Trump. Ai tha se kërkesa që Presidenti Trump i bëri homologut ukrainas Volodymyr Zelenskiy gjatë një telefonate në muajin korrik 2019 ishte e papërshtatshme, kërkesë që u kthye në epiqendër të hetimit.
Zoti Vindman tha para një komisioni të drejtuar nga demokratët se “nuk po u besonte veshëve rreth asaj që po dëgjonte” gjatë bisedës telefonike mes dy udhëheqësve. Presidenti Trump i kërkoi presidentit Zelenskiy të fillonte hetimet ndaj rivalit demokrat Joe Biden si dhe rreth aludimeve se kishte qenë Ukraina dhe jo Rusia pas ndërhyrjeve në zgjedhjet presidenciale të 2016s në SHBA.
Presidenti Trump u shpall i pafajshëm pas gjyqit në Senatin e kontrolluar nga republikanët, të cilët votuan kundër akuzave për shpërdorim pushteti dhe pengim të Kongresit nga Presidenti Trump.
Ndërkohë sipas njoftimeve zoti Vindman do të riemërohet në Departamentin e Mbrojtjes.
Presidenti Donald Trump shkarkoi të premten edhe ambasadorin e SHBA në Bashkimin Evropian Gordon Sondland, një tjerër dëshmitar kyç të procesit që synonte shkarkimin e tij.
Zoti Sondland e njoftoi vendimin në një deklaratë të premten ku shprehte ndër të tjera: “mirënjohjen ndaj Presidentit për mundësinë që i dha për të shërbyer, sekretarit Pompeo për mbështetjen e tij të vazhdueshme dhe profesionistëve të jashtëzakonshëm e të përkushtuar të misionit amerikan në Bashkimin Evropian”.
“Jam krenar për arritjet tona. Puna jonë këtu ka qenë kulmi i karrierës time ”, shkruante ai./voa
Fraksion.com