AktualitetTë fundit

Paketa anti KÇK; “Forca e Ligjit” sekuestron disa automjete të blinduara të individëve me precedentë kriminalë

Policia përmes operacionit “Forca e Ligjit” sekuestroi disa automjete të blinduara të cilat u përkisnin individëve me precedentë të shumtë kriminalë.

Kështu, në vijim të operacionit “Forca e Ligjit”, në zbatim të ligjit special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në bazë të nenit 19 të Aktit Normativ nr. 1, datë 31 janar 2020, nxori urdhrat e sekuestrimit në kushtet e emergjencës për disa automjete të blinduara, të cilat u sekuestruan gjatë operacionit.

Automjetet e sekuestruara janë në pronësi të shtetasve: S. T., banues në Lushnjë, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”; D. Gj., banues në Durrës, i dënuar në Itali për trafik të qenieve njerëzore dhe D. B., banues në Krujë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me armë”.

Sekuestrimi vjen pasi operacioni “Forca e Ligjit” i dërgoi personave formularin për vetëdeklarimin e origjinës së pasurisë dhe bizneseve që zotëron, pas dyshimeve se janë vendosur me aktivitetet të jashtëligjshëm.

Operacioni vijon dhe OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

 

Fraksion.com