AktualitetKosovaTë fundit

“Dyshimet”; QKUK: Nuk ka të sëmurë me koronavirus në Kosovë

Rezultatet laboratorike kanë treguar se pacientja e shtrirë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nën dyshimet se mund të ishte e infektuar me koronavirus kanë dalë negative.

Këto informacione i ka konfirmuar për televizionin publik, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani.

Pacientja e shtrirë në QKUK, ishte shtetase e Britanisë së Madhe e cila vet kishte shfaqur dyshime se ishte infektuar me virusin e ri.

Dyshimet për paraqitjen e një rasti me virusin e ri në Kosovë, e kishte shtyrë ministrin e Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Arben Vitia që të vizitonte Klinikën Infektive, ku ai ishte zotuar se institucionet publike shëndetësore do t’i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme.

Koronavirusi shkakton infeksion të rëndë akut të frymëmarrjes dhe simptomat zakonisht fillojnë me ethe dhe kollë të thatë.

Epiqendra e këtij virusi është në qytetin Vuhan të Kinës.

Numri i viktimave në Kinë është rritur nga 86 në 722 të shtunën, sipas autoriteteve, derisa pritet të tejkalojë rekordin e virusit SARS që shënoi 774 viktima.

 

Fraksion.com