Angazhimi i SHBA faktor kyç për Ballkanin Perëndimor; Meta takim me Këshillin e Ambasadorëve Amerikanë
Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë, në prag të misionit të tyre në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, priti në një takim në Uashington, Presidentin e Republikës, Ilir Meta.
Presidenti Meta i njohu ambasadorët me zhvillimet më të fundit në Shqipëri dhe në rajon, duke theksuar se vizita e tyre në vendin tonë do të jetë një kontribut i shtuar për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera shqiptaro-amerikane.
Kreu i Shtetit theksoi se Shqipëria beson në angazhimin e domosdoshëm të SHBA në Ballkanin Perëndimor, si faktor kyç për paqen, sigurinë dhe demokracinë.
Në këtë kuadër, Presidenti Meta vlerësoi rolin që luan Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë për forcimin e lidhjes sonë transatlantike.
Gjatë takimit, Kreu i Shtetit ju përgjigj dhe interesit të tyre për çështje konkrete të zhvillimeve të fundit në Shqipëri dhe në rajon.
Kreu i Shtetit zhvilloi dhe një takim me bashkëkryetarin Republikan të Komisionit për Politikën e Jashtme në Kongresin Amerikan, Michael McCaul.
Sipas Metës, mbështetja bipartizane në Kongres mbetet kyç për forcimin e partneritetit tonë strategjik dhe konsolidimin e arritjeve pozitive në rajon, si pjesë e hapësirës dhe vlerave euroatlantike.
“Kënaqësi të ritakohesha me Bashkëkryetarin Republikan të Komisionit për Politikën e Jashtme në Kongresin Amerikan,Michael McCaul. Mbështetja bipartizane në Kongres mbetet kyç për forcimin e partneritetit tonë strategjik dhe konsolidimin e arritjeve pozitive në rajon, si pjesë e hapësirës dhe vlerave euroatlantike.
Lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, një prioritet absolut, ndërsa duhet shtuar bashkëpunimi ekonomik dhe investimet amerikane në Shqipëri dhe rajon”,- u shpreh Presidenti Meta.
Fraksion.com