Zbulohet email-i që komandati i Gardës i dërgoi KJV; Kërkon kohë për të…
Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit ka shtyrë vendimin për komandantin e Gardës së Republikës, Gramos Sako.
Ky i fundit kaloi dy ditë më parë në “sitën” e Vettingut, ku nga hetimi rezultoi se kishte probleme me pasurinë, pasi kishte bërë deklarim të rremë të pasurisë dhe kishte fshehur të ardhurat.
Zbulohet se Sako i ka dërguar një email Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit, një ditë më parë, ku i ka kërkuar t’i japë kohë për të pastruar figurën.
Në emailin e tij, komandanti i Gardës ka theksuar se nuk është njohës i mirë i procedurave ligjore, ndaj dhe kërkon kohë për të sjellë dokumente të tjera për pastërtinë e figurës.
Në këtë mënyrë, KJV ka vendosur sot të pranojë kërkesën e tij, duke shtyrë për një datë tjetër, të papërcaktuar ende, vendimin për të.
Sako ka shlyer një kredi prej 3 milionë lekësh në 3 vite pa argumentuar burimin e të ardhurave si dhe ka shitur fiktivisht një makinë “Toyota” me vlerë 15 mijë euro. Gjithashtu Sako nuk ka deklaruar saktë blerjen e një apartamenti.
Komisioni thotë se Sako ka parregullsi në deklarimin e klinikës dentare ku punon bashkëshortja si edhe të ardhurat e përfituara prej saj. KJV bën me dije se subjekti në kundërshtim me ligjin ka qenë pronar i një bar kafe.
Sako rezultoi me probleme, edhe sepse kishte punësuar dhe favorizuar mbesën e tij si juriste në Gardën e Republikës.
Fraksion.com