Virusi kinez; Manastirliu: 5 rastet e dyshuara rezultuan me grip
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi sot në mbledhjen e radhës së Task-Forcës për koronavirusin, ose njohur ndryshe si virusi kinez, se në Shqipëri nuk ka asnjë të prekur dhe se 4 rastet e dyshuara që u verifikuan dje, ashtu si ai i pak ditëve më parë, rezultuan se ishin me grip sezonal.
“Asnjë prej pesë rasteve nuk rezultoi me virus, por me grip. Nuk ka asnjë rast me koronavirus. Vigjilenca është e lartë duke marrë të gjitha masat e parashikuara” tha ajo.
Gjithashtu ministrja theksoi se fluksi i udhëtarëve nga Kina është ulur. Ministria e Shëndetësisë ka marrë masa në pikat kufitare për kontrolle, ndërsa ka bërë gati edhe karantinën, por fatmirësisht deri tani nuk është shënuar asnjë rast.
Deri tani ka pasur dyshime për pesë raste, i pari pak ditë më parë dhe katër të tjerët dje, por të gjithë kanë rezultuar negativ.
Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar se në vendin tonë nuk ka asnjë rast të prekur me koronavirus dhe rreziku për depërtimin e virusit mbetet i ulët. Koronavirusi ka shënuar deri tani 638 të vdekur (dje 73 viktima) dhe mbi 28 mijë janë të infektuar në të gjithë botën.
Virusi shfaqet me simptomat e një gripi të thjeshtë si kollë, temperaturë apo vështirësi në frymëmarrje.
Fraksion.com