Thaçi: I pikëlluar me vdekjen e artistes së madhe Nexhmije Pagarusha; Osmani: Kemi rritur shtatin duke dëgjuar e ridëgjuar perlat e “Bilbilit të Kosovës”
Në Prishtinë në moshën 86-vjeçare, vdiq këngëtarja e njohur e Kosovës. Nexhmie Pagarusha.
E lindur në maj të vitit 1933 në Malishevë në Kosovën qendrore, e ndjera Pagarusha kishte filluar karrierën e saj muzikore në vitin 1948 në Radio Prishtinë.
Më 1984 ajo përmbylli karrierën e saj si këngëtare në një koncert në Sarajevë.
Përveç këngëtare ajo ishte edhe aktore filmi e teatri.
Përgjatë karrierës është cilësuar si “Bilbili i Kosovës” dhe për vlerat e punës së saj është nderuar me çmimin “Nderi i Kombit” nga presidenca e Shqipërisë, ndërsa presidenca e Kosovës i ndau çmimin “Artiste e Merituar”.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u shpreh “i pikëlluar me vdekjen e artistes së madhe, Nexhmije Pagarushës, e cila me zërin e saj e përjetësoi muzikën shqipe, duke i dhënë vlera të përjetshme, me të cilat krenohet krejt bota shqiptare. Ndarja nga jeta e Nexhmije Pagarushës është një humbje e madhe për kulturën dhe artin tonë kombëtar. Zëri i saj karakteristik e shndërroi në një ikonë të papërsëritshme, bazuar në dhuntitë dhe talentin e saj të pakufishëm. I përjetshëm do të mbetet emri dhe zëri i Bilbilit të Kosovës!”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Ndërkaq kryetarja e parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani shkroi se “për dhjetëvjetësha të tërë, me zërin e saj kumbues, ajo e kultivoi muzikën e mirëfilltë shqipe, duke u shndërruar në mbretëreshën e saj. Nga “Baresha” e deri te “Zambaku i Prizrenit”, këngët e saj do të mbeten pjesë e trashëgimisë sonë kulturore dhe vlerë e patjetërsueshme e identitetit tonë”
“Ne e kemi rritur shtatin duke i dëgjuar e ridëgjuar perlat e “Bilbilit të Kosovës”. Ndarja nga jeta nuk na ndan nga këngët e saj e nga trashëgimia e pasur artistike që na e la”, shkroi zonja Osmani.