AktualitetRajoniTë fundit

Shkup: ASH dhe Alternativa – marrëveshje për koalicion

Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kanë arritur marrëveshje për koalicion parazgjedhor për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 prillit në Maqedoninë e Veriut.

 Krijimin e aleancës parazgjedhore e publikoi kryetari i Aleancës për Shqiptarët Zijadin Sela, partia e të cilit ka qenë nismëtare e bashkimit të partive opozitare shqiptare-Aleancës për Shqiptarët, Alternativës dhe Lëvizjes Besa. Kryetari i Aleancës për shqiptarët Zijadin Sela konfirmoi, se pas takimit të zhvilluar me Afrim Gashin kryetarin e Alternativës është arritur ujdia për koalicion parazgjedhor dhe se do të jenë në pritje edhe 12 orë tjera për një përgjigje nga Lëvizja Besa për formimin e koalicionit parazgjedhor tripalësh opozitar. Ai ka thënë se do të bëj çmos që vota shqiptare të unifikohet përmes një koalicioni të fuqishëm parazgjedhor.

“Kam marrë një pëlqim me shkrim për një koalicion parazgjedhor për zgjedhjet e 12 prillit, nga Afrim Gashi, kryetari i Alternativës. Dhe fatkeqësisht kemi hasur në injorim nga ana e palëve të tjera. Ne kemi veç një parapëlqim për koalicion dhe kthim mbrapa nga ky moment nuk ka, ndërkohë që jemi të hapur për të gjitha palët e interesuara që ta bëjnë sa më të fortë votën e shqiptarëve”, është shprehur Ziadin Sela Kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Alternativa: Opozita e bashkuar do të sjellë ndryshime

Edhe Alternativa përmes një komunikate ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes me ASH-në. “Njoftojmë të gjithë opinionin në veçanti aktivistët dhe mbështetësit e Alternativës, se jemi dakorduar për koalicion parazgjedhor në zgjedhjet e 12 prillit me kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela. Në këtë mënyrë ne ia dolëm që shqiptarëve të Maqedonisë t’ua krijojmë adresën e saktë të ndryshimit në zgjedhjet e 12 prillit. Era e ndryshimit tashmë po vjen edhe në vendin tonë dhe shqiptarët do të festojnë më 12 prill”, thuhet mes të tjerash në komunikatën e Alternativës.

Nga Aleanca për Shqiptarët thonë, se mbeten të interesuar që blloku opozitar shqiptar të forcohet, unifikohet meqë në këtë mënyrë do ta sjellin ndryshimin e sistemit qeverisës në Maqedoninë e Veriut duke e çuar në opozitë Bashkimin Demokratik për Integrim.

“Motivi kryesor i yni është që disponimi anti-BDI, që është prezent gati dhjetë vjet në Maqedoninë e Veriut, ta materializojmë dhe ta shndërrojmë në fitore të partive opozitare, respektivisht të spektrit politik që mendon ndryshe. Nuk do të lejojmë që për shkak të segmentimit të skajshëm të skenës politike, përkatësisht të partive politike të bllokut opozitar, që edhe një herë të triumfojë Bashkimi Demokratik për Integrim”, thotë Ilmi Aziri nënkryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Besa: Oferta joserioze për koalicion parazgjedhor

Nga Lëvizja Besa vlersojnë se është joserioze që oferta për koalicion të përcillet përmes mediave, ndërkohë që për më shumë se një muaj, nuk është realizuar asnjë takim ndërmjet tri partive shqiptare në opozitë, përkatësisht Lëvizjes Besa, Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës. Nga Lëvizja Besa kanë kërkuar që të mos vazhdohet me oferta publike, por partitë të ulen dhe të merren veshh për një koalicion të mundshëm.

“Ne edhe sot ashtu si edhe para një muaji, po, jemi për një koalicion, por të ulemi dhe të bisedojmë për të gjitha detajet e bashkëpunimit, përfshirë këtu edhe ndarjen e listave. Për Lëvizjen Besa, e rëndësishme është arritja e një marrëveshjeje për formimin e një koalicioni fitues, që do të sjellë ndryshimin, oferta e koalicionit të tillë të bazohet në platformë dhe program konkret”, ka deklaruar Arianit Hoxha zyrtar i Lëvizjes Besa.

Pollozhani: Vetëm opozita e bashkuar është çelës i fitores

Njohësit e çështjeve politike thonë, se vetëm koalicioni tripalësh siguron fitoren e opozitës shqiptare në të kundërtën koalicioni dypalësh mes ASH-së dhe Alternativës do ta ketë vështirë për ta mposhtur BDI-në. Opinionisti Shpëtim Pollozhani vlerëson se nëse këto tri parti nuk bashkohen dhe nuk garojnë me listë të përbashkët, kjo do të thotë se këto parti, në zgjedhjet e 12 prillit, humbjen e kanë të garantuar nga partia shqiptare në pushtet BDI.

“Për momentin, ajo parti e cila ngul këmbë për mosbashkim, do të thotë se e çon ujin në favor të pushtetit aktual LSDM-BDI. Do të thosha se pak jemi vonuar, qoftë me dinamikën, qoftë me ritmin e publikimit të një marrëveshjeje definitive, pasi kjo amulli dhe kjo gjendje e padefinuar, është shumë e dëmshme dhe nuk bën mobilizimin e elektoratit për ta votuar opozitën, përkatësisht bllokun opozitar”, thotë opinionisti Shpëtim Pollozhani.

Aleanca për shqiptarët, Alternativa dhe Lëvizja Besa në përbërjen aktuale të Parlamentit kanë tetë deputetë. Sipas të gjitha sondazheve dhe përllogaritjeve supozohet se nëse këto tri parti opozitare shqiptare bashkohen në një koalicion parazgjedhor, në zgjedhjet e 12 prillit minimumi do të mund të fitojnë 12 deputetë e më shumë./DW

 

Fraksion.com