Rusia akuzon Izraelin për “vënien e avionit të pasagjerëve në rrezik”
Një avion i pasagjerëve është ballafaquar me rrezik si rezultat i sulmeve ajrore të Izraelit në Siri dhe është detyruar të ulet në bazën ajrore Hmeimim, tha Ministria ruse e Mbrojtjes.
Në një deklaratë për gazetarët, zëdhënësi i ministrisë, Igor Konashenkov, tha se avionët izraelitë më 6 shkurt ndërmorën sulm ajror në Damask.
Konashenkov tha se një avion Airbus-320 me 172 pasagjerë në bord u përball me rrezik si pasojë e sulmit izraelit në afërsi të aeroportit në Damask.
“Për shkak të sulmeve të Izraelit, avioni i pasagjerëve bëri ulje të detyruar në bazën Hmeimim”, tha Konashenkov.
Ai tha se ushtria izraelite përdor avionët e pasagjerëve si mburojë për t’iu shmangur raketave siriane.
“Është bërë praktikë e zakonshme e Forcave Ajrore të Izraelit t’i përdorin avionët e pasagjerëve si mburojë kundër raketave siriane”, theksoi zëdhënësi i mbrojtjes ruse./AA
Fraksion.com